Kërkohet shtim i inspektorëve dhe këshilluesve bujqësor për siguri më të lartë ushqimore

Kosova

Kërkohet shtim i inspektorëve dhe këshilluesve bujqësor për siguri më të lartë ushqimore

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:46
Ilustrim

Shtimi i numrit të inspektorëve dhe këshilluesve bujqësor po shihet të jetë nevojë e domosdoshme me qëllim që në Kosovë të ketë siguri më të madhe ushqimore. Si hap i rëndësishëm që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian po konsiderohet rritja e cilësisë së produkteve dhe prodhimeve BIO.

Kështu u tha në debatin me temë “Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së", i cili u mbajt në komunë e Kamenicës dhe të pranishëm ishin shumë prodhues të kësaj ane e përfaqësues të rëndësishëm të kësaj fushe.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se kjo komunë ka përparësi shumë të madhe për zhvillim të bujqësisë pasi që 70 për qind e territorit të saj janë hapësira kodrinore-malore.

Kastrati tha se është ngritur vetëdija e qytetarëve që të investojnë në këtë fushëveprimtari, pasi që, këtë vit përfitues të granteve të ministrisë së Bujqësisë janë rreth 40, kurse viteve të mëparshme kanë qenë jo më shumë se tetë.

I pari i Kamenicës tha se edhe aspekti buxhetor po ua pamundëson atyre si komunë që të subvencionojnë prodhuesit e kësaj ane.

Sipas tij, kjo komunë ka përparësi të mëdha që prodhimet e saj t'i plasojë në tregun evropian pasi ndodhet më afër korridorit me Greqinë si dhe autostrada që po ndërtohet do krijojë lidhje më të shpejta dhe fuqi të re dhe e lirë punëtore.

Kastrati: Duhet zvogëluar burokracia për shpërndarje të subvencioneve

"Ne si komunë realisht nuk po i kemi mundësitë që ta përkrahim. Disa vite të fundit buxheti për subvencione për të gjitha kategoritë ka qenë 9 mijë e 925 euro nënkupton subvencione jo vetëm në bujqësi por në të gjitha fushat. Ne çka kemi arritur dhe jemi duke kërkuar nga niveli qendror është me nda fonde shtesë dhe në këtë aspekt edhe në vitin e kaluar edhe në këtë vit kemi arritur me marr një fond jo të mjaftueshëm, por të paktën me mund me thënë një përkrahje dhe orientim.....ne si shtet duhet të zvogëlojmë burokracinë në aspektin e shpërndarjes së subvencioneve dhe granteve mos me qenë vetëm çështje procedurale që kush di me i plotësua ato letra dhe me qenë përfitues", tha ai.

Nga departamenti për Këshilla bujqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Tahir Halitaj tha se për të zbatuar në tërësi standardet e Bashkimit Evropian kanë hartuar edhe mekanizma shtesë, por, që sipas tij, politikat për përfitues të granteve duhet tu përshtaten edhe prodhuesve të vegjël.

Halitaj tha se me qëllim të dhënies së këshillave ata kanë edhe qendra informative  nëpër komunat e Kosovës dhe se aktualisht kanë gjithsej 300 këshilltarë publik dhe privat.

Sipas tij, së shpejti ministria e Bujqësisë do shpallë thirrjet për aplikim për grante dhe subvencione ku fermerët duhet t'i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë përfitues.

Halitaj: Kemi 300 këshilltarë publik e privat në bujqësi

"Edhe ne e vlerësojmë që kemi nevojë për këshilltar që i zbatojnë standardet, numri i këshilltarëve është i kufizuar për shkak të buxhetit të Qeverisë edhe nuk mund të pranohen punëtorë, por ne kemi mekanizmin e certifikimit të këshilltarëve privat dhe të licencimit të kompanive që na plotësojnë në terren me këshilla. Deri tani janë diku 300 këshilltarë publik e privat të certifikuar që kanë kaluar një trajnim dhe janë përgatitur me inovacionet që ndodhin në bujqësi dhe mënyrën e komunikimit me fermerët se ka shumë rëndësi”, tha Halitaj.

Sabedin Kadriu koordinator rajonal për Gjilan në AUVK, tha se me kapacitetet e vogla të inspektorëve që kanë në dispozicion po mundohen që të ofrojnë siguri ushqimore për qytetarët e këtij regjioni.

Kadriu tha se komunat nuk kanë inspektorë sanitar, përveç Kamenicës, e cila tashmë e ka një të tillë.

Kadriu: Vetëm Kamenica ka inspektor sanitar

"Sa i përket sigurisë ushqimore thash në fillim jemi duke e bërë të pamundurën të mundur, mirëpo me atë kapacitet që e kemi realisht me ato kapacitet të fuqisë punëtore që i kemi konkretisht të inspektorëve i kemi shumë të vogël. Deri më herët edhe komunat kanë pasur numër të vogël të inspektorëve apo fare nuk kanë pasur inspektor....si regjion dhe si tërësi kemi nevojë për shumë inspektorë për të mundur ta kryejmë punën ashtu siç duhet pasi kemi nevojë për shumë inspektor", u shpreh ai.

Në emër të qumështores "KABI", Mitat Bixhaku tha se si prodhues të produkteve të qumështit fal përkrahjes së Këshillit të Evropës kanë teknologjinë më moderne.

Ai tha se prodhimet e tyre i plotësojnë të gjitha standardet evropiane, por që për shkak të kapaciteteve të vogla prodhuese gjatë dimrit kryesisht ata nuk po guxojnë të rrezikojnë tregun e BE-së.

Kjo kompani e prodhimeve qumështore ka fuqi prodhimi nga  300 deri 350 litra qumësht  dhe ka të punësuar 38 punëtorë. 

Bixhaku: Dimrit sasia e qumështit është e ulët

"E kemi të përfshirë tërë regjionin e Kosovës jemi të kënaqur më së shumti nga Bashkimi Evropian që kemi marr donacionin.... Synimet tona nuk do të ndalen do mundohemi më tutje edhe me prodhime të reja të dalim por edhe me zgjerua kapacitetin. Tregu është i mirë por mashën e fitimit po e kanë krejt ato ku po e dërgojmë ne me shit.... Deri tani ende nuk jemi në treg sepse janë vështirësitë se po kërkohen shumë gjëra pak është edhe një problem se dimrit sasia e qumështit tek ne zvogëlohet verës më shumë tregun nëse e merr duhet me mbajt gjithmonë", tha ky prodhues.

Ky debat për fushëveprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit "Përkrahje për komunikim në procesin për integrim evropian" që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me ministrinë e Integrimeve Evropiane".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat