Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Kaçanikut

Kosova

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Kaçanikut

Më: 21 maj 2019 Në ora: 16:54
Akademia përkujtimore

(E plotësuar) - Dëshmorët zënë vendin më të merituar në historinë e lavdishme për popullin tonë, pasi ata vulosën me gjakun e tyre besnikërinë dhe devotshmërinë e përjetshme për atdheun.

Kështu u tha sot në një akademi përkujtimore kushtuar  rënies heroike të dëshmorëve Kemal Thaqi e Ekrem Gudaqi, si dhe 13 martirëve të rënë më 21 maj 1999 në komunën e Kaçanikut.

Në shënimin e 20-vjetorit të rënies së tyre, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha që edhe pas dy dekadave, kërkojnë drejtësi për martirët e dëshmorët e rënë.  Ai tha se në themelet e lirisë, janë martirët e dëshmorët që ranë për atë që do të gëzojnë brezat e ardhshëm.

Ilazi: Dëshmorët jetojnë në pafundësi

"Të tillë janë dëshmorët, të tillë janë heronjtë, e ata kanë vetëm ditëlindje, sepse jetojnë deri në pafundësi. Duke zënë vendin më të merituar në historinë e lavdishme për popullin tonë. Ata vulosen me gjakun e tyre, besnikërinë dhe devotshmërinë e përjetshme për atdheun e tyre. Duke i falur lirinë brezave, dhe vetës së tyre lumturinë e amshueshme. Kaçaniku ka qenë gjithherë pjesë e lavdisë kombëtare, e Stagova ishte një vatër e luftës, e prirë nga Agim Bajrami, i cili vulosi në këtë anë ndjenjën e atdhedashurisë. Po në këtë ditë të pranverës së përgjakur të vitit ‘99, në Stagovë, dora e armikut ishte aq e pamëshirshme sa që nuk kurseu as gra e as pleq, e as fëmijë. E 20 vjet më pas neve na mbetet që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi", tha ai.

Veterani dhe mjeku i luftës, Bejtush Jaha në këtë akademi përkujtimore, ka kujtuar ditën e 21 majit 1999, duke thënë se kjo masakër tregon barbarinë serbe.

Jaha: Forcat serbe nuk arritën ta thyejnë UÇK-në

"Më 21 maj 1999 ndihej një qetësi e rreme, qetësi para stuhisë. Në orën 06:00 forcat serbe filluan granatimet mbi bazën e forcave çlirimtare të Kosovës. Ata ndërmorën një sulm të përgjithshëm me artileri të rëndë, në fshatin Krivanjevë dhe Stagovë. Edhe pse pati granatime të shumta, e sulme të fuqishme të forcave serbe, njësitet e UÇK-së arritën të përballojnë këto sulme dhe të qëndrojnë në pozicione... Meqë forcat serbe nuk arritën të thyejnë UÇK-në, arritën të realizojnë planin e tyre duke filluar të plaçkitin dhe vjedhin shtëpi. Të revoltuar me humbjet e mëdha, bënë një masakër ndaj popullatës civile në fshatin Stagovë. Kjo tregon qyqarllëkun dhe barbarinë serbe. Në këto luftime aq të forta ishte e pamundur të shkaktohet pa humbje, nga forcat tona patëm dy ushtarë të vrarë, Kemal Thaqi dhe Ekrem Gudaqi dhe u plagosën tre ushtarë ,Rrahim Sadiku, Xhemajl Ahmeti dhe Zijadin Mani ", tha ai.

Në emër të organizatave të dala nga lufta, dega në Kaçanik, foli Hajrush Kurtaj. Ai tha se duke kujtuar këtë 20-vjetor, kujtohet qëndresa e popullit të Kosovës dhe sakrifica e heroizmi i martirëve të rënë për liri.

Kurtaj: Kemal Thaqi i futi tmerrin armikut

"Për Kaçanikun, muajt e përgjakshëm ishin marsi, prilli e maji. Vetëm gjatë këtyre tre muajve kemi humbur 220 qytetarë, ushtarë e martirë. Kjo tregon se çfarë lufte e përgjakshme është zhvilluar në komunën e Kaçanikut. Më 21 maj Kemal Thaqi ra në luftën e UÇK-së, me trimërinë e tij, i kishte futur tmerr armikut. Ai ishte i gatshëm për çdo sakrificë, merrte pjesë në çdo betejë, pas çdo beteje ishte më i fortë, më i përgatitur, sepse e dinte se po luftonte për idealin e madh për lirinë e Kosovës. Ekrem Gudaqi ishte tmerr për armikun dhe duke luftuar ballë për ballë me armikun bie dëshmorë për atdheun dhe lirinë e Kosovës", tha Kurtaj.

Gjatë ditës, në nderim të rënëve të luftës së UÇK-së, janë bërë edhe homazhe pranë pllakave përkujtimore në Runjevë dhe Stagovë, si dhe te Varrezat e dëshmorëve.

Ndryshe, më 21 maj 1999 ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi dhe 13 martirët: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeve, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. Po ashtu më 21 maj në Runjevë ka rënë heroikisht dëshmori Kemal Thaqi. 

Kujtohen dëshmorët e Kaçanikut në 20 vjetorin e rënies

Në nderim të rënies së dëshmorëve Kemal Thaçi e Ekrem Gudaqi, si dhe martirëve të rënë më 21 maj 1999 në komunën e Kaçanikut, sot është mbajtur akademi përkujtimore.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se pas dy dekadave, kërkojnë drejtësi për të gjithë martirët e dëshmorët e rënë.

 "Sot po na bashkon edhe një 20 vjetor, përvjetor malli dhe krenarie për veprën dhe sakrificën, për lirinë e vendit. Me dhembje të madhe kujtojmë figurat emblematike të Thaçit e Gudaqit. Ata vulosën me gjakun e tyre, lirinë e brezave. Po në këtë ditë të pranverës së përgjakur, dora e armikut  ishte e pamëshirshme. E 20 vite pas çka na mbetet është të kërkojmë drejtësi. Në këto qaste të dhembjes jemi krenar për historinë tonë. Në themelet e saj janë dëshmorët e martirët", tha Ilazi.

Veterani dhe mjeku i luftës, Bejtush Jaha në këtë akademi përkujtimore, ka kujtuar 21 majin e vitit 1999, duke thënë se kjo masakër tregon barbarinë serbe.

" Vendosja e njësive të UÇK-së në këto fshatra kishte përgjegjësi të madhe në  mënyrë që të mbrohet popullata civile. Me 21 maj 1999, ndihet një qetësi para stuhisë, në orën 6 forcat serbe ndërmorën një sulm. Edhe pas granatimeve, njësitet e UÇK-së arritën të përballojnë. Kjo masakër tregon qyqarinë dhe barbarinë serbe. Nga pamundësia për t’u  përballur me forcat serbe, ata dëshmuan barbarinë e tyre. Stagova e Agim Bajramit u djeg dhe persekutua, por nuk ka asgjë më me vlerë dhe më afër Zotit se satë jesh afër popullit", tha ai.

Në emër te organizatave të dala nga lufta, dega në Kaçanik, Hajrush Kurtaj tha se duke kujtuar këtë 20 vjetor, kujtohet qëndresa e popullit të Kosovës, e po ashtu edhe sakrifica e heroizmi i martirëve të rënë për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat