Projektligji për Pyjet që heq kufizimet për shfrytëzimin e tokave pritet të miratohet sot në Qeveri

Kosova

Projektligji për Pyjet që heq kufizimet për shfrytëzimin e tokave pritet të miratohet sot në Qeveri

Më: 23 maj 2019 Në ora: 10:58
Ilustrim

Pas kërkesës së Odës së Afarizmit të Kosovës për ndryshimin e Udhëzimeve administrative të cilat kufizojnë bizneset e sektorit minerar për shfrytëzimin e tokës, Ministria e Bujqësisë ka harmonizuar ndryshim plotësimin e Ligjit për Pyjet, të cilin e ka dërguar gjatë ditës së djeshme në Qeveri të Kosovës për aprovim, e që sot pritet të aprovohet në mbledhjen e Qeverisë.

Drejtori i Departamentit të Pylltarisë në Ministri të Bujqësisë, Tahir Ahmeti thotë për KosovaPress se Projektligji për Pyjet e Kosovës aktualisht është proceduar në Qeveri të Kosovës, që është nënshkruar nga ministrja e Ministrisë së Bujqësisë.

Ahmeti thotë se Ligji adreson, apo i jep zgjidhje problemeve që janë shfaqur për menaxhimin e tokës pyjore.

Ligji paraprak, sipas tij, ka kufizuar shfrytëzimin e tokës në pesë hektarë, por edhe kohëzgjatjen lejeve në pesë vite, ndërsa, me Ligjin e ri, Ahmeti thotë se këto çështje janë rregullua në interes edhe të palëve të interesit, por edhe në interes të ruajtjes së tokës pyjore, përkatësisht menaxhimit më efikas të saj.

Me ligjin e ri, kontratat për shfrytëzim mund të jenë me afat varësisht prej destinimit. Nëse toka përdoret për bujqësi do të jetë deri 20 vite, nëse kërkohet për shfrytëzim të mineraleve ajo mund të jetë deri në 40 vjet.

Ahmeti thotë se Udhëzimet administrative që kanë qenë të ligjit të kaluar nuk do të jenë më funksional për faktin se kërkesë e ligjit të ri është që të ndryshohen ato udhëzime, dhe të harmonizohen me këtë ligj, që do të thotë se nuk do të ketë pengesa për të zhvilluar veprimtari të ndryshme afariste në toka publike të cilat menaxhohen nga ministria e Bujqësisë.

Ahmeti: Ligji për Pyjet nesër në Qeveri që heq kufizimet për shfrytëzimin e tokave

“Deri tash kufizimi ka qenë pesë vjeçar, me ligjin e ri parashihet që të përshkallëzohen këto kohëzgjatje të kontratës dhe nuk do të ketë kufizime në pesë vite, por varësisht prej destinimit apo prej përdorimit dhe kërkesave për shfrytëzim. Nëse kërkohet për t’u përdorë për kultivimin e kulturave bujqësore do të jetë 20 vite, nëse kërkohet për shfrytëzim të mineraleve ajo mund të jetë deri në 40 vite. Drafti i Ligjit për Pyje përmban ato kërkesat e Odës së Afarizmit. Është interes i Kosovës nëse miratohet ligji për pyjet. Është ligj shumë voluminoz dhe rregullon menaxhimin e gjysmës së tokës në Kosovë, ngërthen në vete shumë zgjidhje, ngase ligji paraprak ka qenë i miratuar në vitin 2003. Ka pasur nevojë që të ndryshohet, të plotësohet, të harmonizohet edhe me ligje të tjera dhe me interesa të qytetarëve dhe të pronarëve të pyjeve, dhe të afaristëve, pasi që me këtë ligj rregullohet menaxhimi i diku 460 mijë hektarëve tokë në Republikën e Kosovës ose gjysma e sipërfaqes apo 270 mijë hektarëve tokë publike”, thotë Ahmeti.

Ahmeti ndër të tjera thotë se Ligji për Pyjet me ndryshime ka marrë deklaratën financiare dhe të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Ndryshe, kjo qeveri është duke harmonizuar plotësim ndryshimin edhe të Ligjit për Bujqësi, por që zyrtarë të kësaj Ministrie thonë se deri në fund të vitit do të dërgohet në Qeveri për miratim. Ky ligj do të ketë implikim për zhvillim të bujqësisë, veçanërisht për grante dhe subvencione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat