Nisin punimet për zgjerim të rrugës kryesore të qytetit të Deçanit

Kosova

Nisin punimet për zgjerim të rrugës kryesore të qytetit të Deçanit

Më: 24 maj 2019 Në ora: 12:03
Foto

Në Deçan sot kanë nisur punimet për zgjerimin e rrugës qendrore të qytetit, për të cilët u tha se e ndihmon zhvillimin ekonomik të kësaj ane.

Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishin kryeministri i vendit Ramush Haradinaj,  ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj dhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se investimi në infrastrukturën rrugore e kthen Kosovën në hartën ekonomike dhe rrit mundësitë për nxitje të investitorëve të huaj në Kosovë, e krijim të vendeve të reja të punës.

Kreu i ekzekutivit nga Deçani i ka quajtur shkurtpamës të gjithë që e kanë kritikuar ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilën tha se është autostradë që lidhë shqiptarët.

Haradinaj: Turp për ata që kritikojnë autostradën

"Fakti se na kthen në hartë ekonomike, pra infrastruktura na bënë më atraktiv për sipërmarrësit, për investitorët për vendet e punës edhe ne na nxjerr më në dritë i nxjerr në pah vlerat tona edhe njerëzore edhe ato kombëtare..... Autostrada e Dukagjinit është autostradë jo vetëm e shqiptarëve kudo që jemi në Kosovë por është e Evropës e ajo lidh vendbanime në Evropë ... Autostrada e Dukagjinit është tepër me rëndësi ata që e kritikojnë këtë autostradë janë edhe shkurtpamës, janë edhe hileqarë edhe hilaneta, unë i gëzohem autostradës që më lidh me Gjilan, e me Dheun e Bardhë e menjëherë si kam ardhur në punë e kam shtyrë përpara ne i gëzohemi autostradës që na lidh me Mitrovicë e Podujevë por duhet me iu ardhë marre atyre që kritikojnë një autostradë që e lidh Pejën, Deçanin, Gjakovën e Prizrenin", tha ai.

Haradinaj tha se kush ka dilema se në Kosovë nuk do ketë zhvillim ekonomik e ka gabim sepse si shtet i kemi thyer të gjitha barrierat dhe kemi mjaftë resurse natyrore e njerëzore.

Haradinaj: I kemi thyer të gjitha barrierat në aspektin ekonomik

"Nëse dikush ka pasur dilema që nuk bëhet Kosova që nuk bëhet fuqi ekonomike duhet me ia rikujtua të gjithëve që ne i kemi thyer të gjitha tabutë deri sot krejt parashikimet krejt kornizat që na i kanë nxjerrë dhe krejt kufizimet që na i kanë vendosur që na i kanë shkruar se deri ku mundemi me mbërri edhe sa e keni fuqinë edhe zotësinë. I paralajmërojmë të gjithë i kemi thyer të gjitha këto, të gjitha këto bllokada që janë munduar me na i vendos kanë qenë teori e Serbisë që Kosovën mos luftoni me e bë të pavarur me e nda nga Serbia se vdes urie, mua me kanë thënë diplomatët në 99'tën ju kemi çlirua po si jetoni, çka hani ju edhe sot vazhdojnë me na thënë por mos harroni se nuk jemi të varfër në metër katror për kokë banori rrallë ka popull që është më i bekuar se ai i Kosovës....ne për 20 vite për zero kemi filluar prej deminimit kjo pjesë këtu ka qenë krejt e miniua r iu lus me na prit se do i bashkohemi Evropës, botës euroatlanike", tha ai.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se sot qytetarëve të regjionit të Deçanit po i dhurohet një projekt simbolik që do lidhë shumë njerëz dhe rrugë. Lekaj u shpreh se si ministri janë duke punuar për zhvillim të infrastrukturës rrugore nëpër tërë Kosovën, pasi siç tha ai pa infrastrukturë nuk ka zhvillim ekonomik.

Lekaj: Me këtë projekt qytetarët do te kenë qasje të lirë

"Ky projekt po i dhurohet këtij regjioni, shumë qytetar që ia mësyjnë Pejës, Burimit e shumë qyteteve tjera do jetë një projekt që qytetarët do kenë qasje më të lirë... Ne në tërë Kosovën po zhvillojmë infrastrukturën ka njerëz që ndoshta kanë mendime por iu them se pa zhvillim të infrastrukturës nuk ka zhvillim të shtetit, nuk ka zhvillim ekonomik", tha ai.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se ky projekt i cili është hartuar 15 vite më parë është domethënës për deçanasit. Sipas tij, kjo komunë është duke investuar shumë në infrastrukturën rrugore, shëndetësore dhe arsimore dhe tani sipas tij mbetet të investohet vetëm në cilësi të shërbimeve.

Ramosaj: Ky projekt që u hartua 15 vite më parë, domethënës për deçanasit

“Në Deçan këtë vit dhe në vitin e kaluar ka ndodhur një zhvillim i një pjese të infrastrukturës që i kanë dhënë destinimin zhvillimit ekonomik të kësaj komune për pak ditë ne do e shtrojmë llotin e parë që të çon në Bjeshkët e Belegut po ashtu kemi filluar me Infrastrukturën e rrymës në ato bjeshkë. Brenda qershorit përfundon ujësjellësi për te gjitha fshatrat kështu që i kemi të pajisur të gjithë me ujë të pijshëm, jemi duke punuar me shumë përkushtim në kanalizimin e ujerave te zeza për pjesën e mbetur të lokalitetit të komunës së Deçanit që jemi në ditë të mira për ta realizuar këtë projekt", u shpreh ai.

 Vlera e projektit të nënshkruar është 5.884.040,40 €, bashkëfinancim mes Komunës së Deçanit dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Punëkryesit i projektit për zgjerimin e rrugës kryesore të qytetit të Deçanit është kompania "Lika Trade" e cila pritet që brenda 36 muajsh ta përfundojë këtë projekt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat