Mbi 90 përqind të vrasjeve bëhen nga armët ilegale, katër gra të vrara gjatë vitit 2018

Kosova

Mbi 90 përqind të vrasjeve bëhen nga armët ilegale, katër gra të vrara gjatë vitit 2018

Më: 24 maj 2019 Në ora: 12:07
Foto

Rreth 99 përqind e rasteve të vrasjeve në Kosovë, ndodhin prej armëve të paligjshme.

Viktimë e këtyre rasteve jo rrallë herë janë gratë, ku vetëm  gjatë vitit të kaluar, janë vrarë katër gra. Kështu u tha sot, në ditën ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim.

Marta Gazideda, zëvendës koordinatore e programit në UNDP tha se porosia e ditës së sotme është që gratë dhe vajzat e reja të kundërshtojnë dhunën, që sipas saj nuk janë të pakta këto raste.

Gazideda: Ne si gra duhet të refuzojmë dhunën

“Ne si gra edhe si vajza, por edhe si shoqëri duhet ta refuzojmë dhunën dhe të punojmë për një botë më të drejtë që bazohet në paqe, e që fokusohet në të drejtat njerëzore dhe jo në ato ushtarake. Në fushën e politikës për çarmatim dhe siguri, fjala gjini dhe modifikuesit e saj të ndryshëm, si për shembull përfshirje, perspektivë, ndërgjegjësim apo të ngjashme, shpesh herë nxisin reagime, jo ndoshta dhe aq pozitive, sepse konsiderohet se ky aspekt duhet të adresohet nga organet, organizatat apo trupa të specializuar në çështje gjinore. Mirëpo me këtë harrohet, sepse çështjet gjinore nuk janë vetëm për gra”, tha Gazideda.

Gazideda tha se armët zakonisht konsiderohen si shenjë e burrërisë, prandaj  edhe poseduesit më të mëdhenj të armëve, janë pikërisht burrat. Për çka tha se armët e lehta, janë instrumenti kryesor i dhunës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe koordinator i strategjisë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, Izmi Zeka tha se 99 përqind e vrasjeve bëhen me armë të paligjshme, ku vetëm gjatë vitit të kaluar viktimë e këtyre rasteve kanë qenë katër gra.

Zeka: 99 përqind e vrasjeve ndodhin prej armëve të paligjshme

"Të gjitha incidentet të kryera me armë të zjarrit janë nga armët e paligjshme. Në bazë të të dhënave viktima të vrarë me armë të zjarrit, është dukshëm më i lartë për meshkuj, 22 në raport me femrat me katër, mirëpo edhe personat që keqpërdorin armë janë të gjinisë mashkullore....Deri më tani janë konfiskuar, fjala është për vitin e kaluar deri më tani, armë zjarri 1473 armë, monicione 23 mijë e 900 e 41...99 për qind e rasteve, vrasjeve që ndodhin në Kosovë, ndodhin prej armëve të paligjshme”, tha Zeka.

Ai ka apeluar të gjithë qytetarët, që të bëjnë aplikimin dhe armët t'i bëjnë legale.

Xhemile Behluli, nga Policia e Kosovës, sektori për parandalimin e dhunës në familje tha se veprat penale e dhunës në familje trajtohen në tri nivele.

Ku sipas saj, gjatë vitit të kaluar ka pasur shtim të numrit të rasteve të raportimit të dhunës në familje. Ku vetëm gjatë vitit 2018 janë raportuar 1533 raste.

Rozafa Kelmendi, menaxhere e projektit UN ËOMEN, zyra në Kosovë tha se kërcënimi me armë të vogla ndaj grave, është i lidhur me pabarazitë aktuale gjinore.

Kelmendi: Viktimizimi i grave lehtësohet nëpërmjet armëve

“ Prania e armëve në shtëpi, në fakt rrit rrezikun e drejtpërdrejt të aksidenteve, vrasjeve dhe vetëvrasjeve për anëtarët e familjes. Përderisa, janë burra dhe djem ata që përbëjnë shumicën e përdoruesve dhe po ashtu viktimave të drejtpërdrejta të armëve të vogla, gratë ndikohen nga armëmbajtja dhe dhuna nga armët në mënyra të veçanta. Dhe viktimizimi i grave lehtësohet nëpërmjet armëve. Armët përdoren pothuajse në gjysmën e vdekjeve të dhunshme në nivel global dhe afërsisht në 1/3 e fenicideve”, tha ajo.

Sipas saj, armët e vogla janë shumë të shpeshta në ushtrimin e dhunës në familje, siç tha ajo është ironi tragjike, që burri i armatosur me armë është mbrojtës i familjes. Ndryshe, çdo 24 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim shënohet roli historik dhe i vazhdueshëm i grave në ndërtimin e paqes dhe çarmatim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat