Komuna e Malishevës e shqetësuar për ndërprerjen e repelimit të kafshëve

Kosova

Komuna e Malishevës e shqetësuar për ndërprerjen e repelimit të kafshëve

Më: 27 maj 2019 Në ora: 13:29
Foto ilustrim

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me Ethet Hemorragjike Krime Kongo, në një takim të mbajtur sot, ka shprehur shqetësimin për ndalimin e aktivitetit të repelimit të kafshëve, si masa më e efektshme për luftimin dhe parandalimin e virusit vdekjeprurës të EHKK, që tek njerëzit përcillet përmes rriqrave.

Komuna e Malishevës, e ka pranuar një njoftim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, për shtyrjen e kryerjes së aktivitetit për “shërbimet e repelimit të kafshëve, kundër sëmundjes së etheve hemorragjike (EHKK) në komunat e rrezikuara”.

Pas këtij njoftimi, komuna e Malishevës, përkatësisht shtabi komunal për menaxhimin e situatës nga sëmundja e EHKK,  ka shprehur shqetësimin e saj në raport me nivelin qendror për shkak të ndërprerjes së repelimit, sepse ndërprerja e ciklit tek rriqrat, ka rëndësi të madhe në parandalimin e përhapjes së virusit të EHKK dhe gjithashtu parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në shtëpi, përmes kafshëve shtëpiake.Shqetësimi ynë është edhe më i madh, pasi vitin e kaluar në tërësi ka dështuar repelimi i kafshëve, që është përgjegjësi e nivelit qendror, ndërsa këtë vit, edhe pse ka filluar me kohë dhe ka qenë duke u realizuar, tani është ndërprerë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga komuna e Malishevës.

“Ju kujtojmë organeve qendrore, si Këshillin Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHKK, ashtu dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, se territori i Komunës së Malishevës, edhe nga ana juaj, por edhe nga të gjitha institucionet përgjegjëse, konsiderohet si vatra e kësaj sëmundje, pasi si pasojë e infektimit me virusin vdekjeprurës të EHKK, që zhvillohet tek rriqrat dhe tek njeriu përcillet përmes rriqrave, nga paslufta e deri më tani kanë vdekur 18 persona, si dhe janë infektuar dhjetëra të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Kjo situatë e mos zhvillimit të aktivitetit të repelimit të kafshëve kundër rriqrave, sipas komunës paraqet shkallë të lartë të rrezikshmërisë, pasi në këtë periudhë, rriqrat janë shumë aktiv dhe në çdo moment, mund të ketë pasoja me fatalitet për banorët e komunës së Malishevës dhe të komunave tjera që janë të prekura nga ky virus vdekjeprurës.

Prandaj kërkojmë nga ana e organeve përgjegjëse, që të përshpejtojnë procedurat e saj, për rifillimin e procesit të repelimit, pasi e tërë puna dhe mundi i bërë për luftimin dhe parandalimin e EHKK, shkon huq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat