Ndërtimi i kompleksit memorial për masakrën e Burimit, drejt përfundimit

Kosova

Ndërtimi i kompleksit memorial për masakrën e Burimit, drejt përfundimit

Më: 27 maj 2019 Në ora: 18:04
Burim

Ndërtimi i kompleksit memorial për masakrën në Burim të Malishevës, është në përfundim e sipër, pasi shumica dërmuese e punimeve në këtë kompleks kanë përfunduar. Punimet i kanë parë nga afër sot i pari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari Hajdin Berisha dhe drejtorët e drejtorive, Islam Vrenezi dhe Dibran Kastrati.

Ata u ndanë të kënaqur me punimet e kryera deri më tani, e po ashtu u shprehën të kënaqur, pasi po rregullohet ky vend, i cili ka rëndësi edhe historike, sepse në Burim, në vendin e quajtur Vrella e Mëhillit, janë vrarë e masakruar 38 qytetarë, dhe katër të tjerë përreth këtij vendi, më 31 mars të vitit 1999.

Në nderim dhe kujtim të kësaj masakre të ndodhur në atë ditë, Komuna e Malishevës, ka filluar ndërtimin e kompleksit, në vendin e vrasjes së civilëve të pafajshëm, e të cilët u vranë për arsyen e vetme, sepse ishin shqiptar. 

“Punimet kanë ecur mirë dhe sipas dinamikës së paraparë dhe ndihem shumë mirë që po arrijmë të përfundojmë një vepër e cila ka rëndësi historike, që do ta mbajë gjallë në kujtesën tonë ngjarjet e lavdisë dhe të dhimbjes, të asaj dite, kur këtu në këtë vend u vranë dhe u masakruan qytetarët tanë. Ne si institucione e kemi për detyrë, që jo vetëm ti nderojmë, por edhe të kujdesemi që ngjarjet dhe datat e rëndësishme si kjo, dhe vendet me rëndësi si ky, të mbesin përgjithmonë të shkruara në vepra dhe të kujtohen gjithmonë”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, gjatë vizitës së sotme, në Burim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat