Akuo Energy arrin memorandum me Komunën e Vushtrrisë në fushën e energjisë

Kosova

Akuo Energy arrin memorandum me Komunën e Vushtrrisë në fushën e energjisë

Më: 27 maj 2019 Në ora: 19:20
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Kompania prestigjioze botërore nga Franca ‘Akuo Energy’ ka nënshkruar sot në Vushtrri një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Vushtrrisë, qëllimi i të cilit është prodhimi i rreth 100 megavat energji elektrike nga era, ndërsa vlera e investimit është mbi 100 milionë euro.

Në këtë ceremoni përveç kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësuesve të Kompanisë Akuo Energy, Emin Bakiq e Arbnor Kastrati, prezent ishte edhe ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se qyteti i Vushtrrisë me këtë projekt do të përfitojë një nga investimet më të mëdha ekonomike në historikun e vet.

Tahiri: Vushtrria përfiton një nga investimet më të mëdha ekonomike

“Sot është një ditë e shënuar për zhvillimin ekonomik të qytetit të Vushtrrisë, me ç’rast komuna e Vushtrrisë në prani të ambasadorit të Republikës së Francës në Kosovë, do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit me Akuo Energy lidhur me realizimin e projektit Çiçavica Wind Farm, që është një prej projekteve më të mëdha për prodhimin e energjisë nga burimi i erës, dhe qyteti i Vushtrrisë në këtë mënyrë përfiton një nga investimet më të mëdha ekonomike në historikun e vet”, ka thënë Tahiri.

Edhe ambasadori francez Didier Chabert, u shpreh i lumtur që është prezent në një ceremoni të tillë të nënshkrimit mes Akuo Energy dhe komunës së Vushtrrisë, duke thënë se ky është një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit të Vushtrrisë.

Chabert: Projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik

“Është një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Unë e di se Aquo është një Kompani me renome dhe jam krenar që është arritur një memorandum bashkëpunimi dhe nënshkrimi mes Kompanisë Akuo Energy dhe Komunës së Vushtrrisë”, tha ambasadori Chabert.

Ndërsa, përgjegjësi i Kompanisë ‘Akuo Energy’ për Ballkanin, Emin Bakiq, u shpreh i kënaqur për një investim të tillë në komunën e Vushtrrisë.

Duke folur për kompaninë të cilën e përfaqëson, ai tha se do të ketë bashkëpunim të mirë me komunën e Vushtrrisë, nga e cila të dyja palët do të arrijnë sukses nga ky projekt.

Bakiq: Do të kemi sukses të dy palët

“Është kënaqësi të bëjmë një investim të tillë në komunën e juaj. Kompania jonë është një kompani e njohur botërore dhe është një nder i yni të kemi një investim duke menduar se do të bashkëpunojmë dhe do të kemi sukses të dy palët”, tha Bakiq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat