Imami nga Peja tregon se përse u suspendua, thotë se disa hoxhallarë nuk e kuptojnë as shkencën dhe as Kuranin

Kosova

Imami nga Peja tregon se përse u suspendua, thotë se disa hoxhallarë nuk e kuptojnë as shkencën dhe as Kuranin

Më: 27 maj 2019 Në ora: 22:41
Drilon Gashi

Imami nga Peja, Drilon Gashi, ka thënë se arsyeja që është suspenduar nga pozita e imamit në xhaminë e Pejës, është fakti se disa hoxhallarë nuk janë në gjendje ta kuptojnë as shkencën dhe as Kuranin.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Zona B, duke shtuar se me shkrimin që e ka publikuar në Facebook me titullin “Hoxhallarët e Vdekur” nuk e ka ofenduar askënd sepse nuk ka përmendur ndonjë emër.

“Arsyeja kryesore që unë jam suspenduar është fakti se unë jam munduar ta ndërlidhë shkencën me fenë. Unë jam në gjendje të kërkoj falje publike nëse kam gabuar diku sepse ne nuk mund të ecim përpara nëse nuk gabojmë. Arsye ka qenë një postim i imi në Facebook i cili më ka kushtuar”.

“Ka qenë një postim i imi me titullin ‘Hoxhallarët e Vdekur’. Unë me këtë shkrim kam dashur që t’ia përmirësoj imazhin edhe BIK-ut. Kam thënë se disa prej hoxhallarëve nuk janë në gjendje ta kuptojnë as shkencën dhe as Kuranin”.

“Ndërsa në Komisionin Disiplinor më kanë akuzuar se po i ofendoj hoxhallarët, por unë nuk i kam përmendur emrin askujt”.

“Me pak fjalë këta hoxhallarë e kanë shndërruar fenë në doktrinë djallëzore. Në vend të fesë hyjnore, ajo është kthyer në djallëzore sepse në emër të Zotit besimtarët kanë prerë dhe vrarë vëllezërit e tyre. Kjo doktrinë e ka interpretuar mbrapambeturinë si rrugë të Zotit. Ndërsa ajo është rrugë e shejtanit sepse Zoti e do përparimin dhe diturinë”.

“Shumë hoxhallarë po e bëjnë islamin retroaktiv dhe jo aktiv; në vend se të ecim përpara ata po e kthejnë fenë mbrapa. Tjetër pengesë e këtij ligjërimi është se gjithkush që mendon ndryshe shpallet qafir dhe duhet të vritet”.

“Pastaj ka pasur edhe sulme fizike që u janë bërë profesorëve. Edhe mua më kanë sulmuar fizikisht dhe verbalisht. Kam përmbi 500 kërcënime dhe fyerje prej më të rëndave. Ata nuk janë në gjendje ta pranojnë tjetrin. Sipas tyre haram është arti, filozofia, poezia etj”.

“Ky shpirt i urrejtjes po prodhon ekstremizëm dhe përçarje. Urrejtje në ligjërimet e mia nuk ka pasur asnjëherë sepse unë jam në gjendje të diskutoj edhe me ateistin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat