Pas luftës është investuar shumë në raportimin e drejtë të mediave

Kosova

Pas luftës është investuar shumë në raportimin e drejtë të mediave

Më: 28 maj 2019 Në ora: 10:06
Foto nga takimi

(E plotësuar) - Në Kosovën e pasluftës është investuar shumë në raportimin e drejtë të mediave, që është një realitet i sotëm, ndërsa ende ka mungesë të komunikimit mes serbëve të veriut me pjesën tjetër të Kosovës.

Kështu u tha në një tryezë mes mediave nga Kosova dhe Serbia me temën “Gjuha e urrejtjes në media dhe si mund të ndihmojnë mediat në procesin ripajtimit”, ku u diskutua edhe për aksionin e sotëm të Policisë të Kosovës në veri të vendit.

Aty u tha se është e rëndësishme që dikush të japë edhe përgjigjen për atë që ka ndodhur, se kush e ka ditur dhe si e ka ditur. Kjo duke u aluduar në deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ku një javë më parë kishte paralajmëruar për aksionin e sotëm.

E dallime mes të pranishmeve pati në vlerësimin e tyre se cilat media janë më korrekte, ato të Kosovës apo të Serbisë.

Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, tha se në Kosovën e pasluftës është bërë kujdes që mediat të kursehen nga një gjuhë që nxit urrejtjen ndëretnike. Sa i përket raporteve Kosovë - Serbi, Spahiu kërkoi nga qytetarët që të jenë të qetë.

Ai përmendi edhe rastin e ndalimit të Marko Gjuriqit, për çka u shpreh se beson se ka pasur një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Mediat në Kosovë nuk është se nuk bëjnë lëshime dhe nuk është që nuk ka ndonjë tendencë që gjërat të shkojnë në një drejtim jo të duhur. Mitrovica Veriore është thelbi i problemit, aty ngërthehen të gjitha interesat jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por edhe në mes fuqive të mëdha. Por ajo çfarë iu duhet qytetarëve të Kosovës në këtë rast, është që të mos nxehen në këtë situatë. Ata do të jetojnë sërish bashkë, dhe do t'i ndajnë problemet mes veti. Edhe moslejimi i Marko Gjuriqit mendoj se ka qenë një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit", tha ai.

Edhe Gazmend Syla nga Klan Kosova, pohoi se në Kosovë është investuar mjaftueshëm në raportimin e drejtë të mediave, ndërkohë që shprehi shqetësimet e tij për devijimet që mediat po u bëjnë aksioneve policore.

"Nuk e kuptoj pse duhet të devijohet ajo që po ndodh në teren. Ky aksioni që sot po ndodh është, qysh po thotë policia, një hetim që e ka bërë Inspektorati policor, për përfshirje të zyrtarëve të saj në vepra si keqpërdorim me mallra, ryshfet etj. E tash në dash besoni ne dash jo, sot në Klan na ka thirrur një qytetar që ka thënë ejani shihni më kanë hyrë policia në ahur. Kjo për shkak se ai ka blerë bagëti të kontrabanduara, nga ata njerëz që sot janë arrestuar, e që nuk janë veç serbë", tha ai.

***

Është duke u mbajtur takimi në mes të mediave nga Kosova dhe Serbia me temën “Gjuha e urrejtjes në media dhe si mund të ndihmojnë mediat në procesin ripajtimit”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat