Vushtrria nderon të rënët në masakrën ndaj familjes së Selatin Gërxhaliut

Kosova

Vushtrria nderon të rënët në masakrën ndaj familjes së Selatin Gërxhaliut

Më: 31 maj 2019 Në ora: 15:34
Pamje nga ngjarja

Në 20 vjetorin e vrasjes është përkujtuar sot në Vushtrri, njëra prej ngjarjeve më të dhimbshme të luftës, kur forcat serbe më 31 maj vranë të gjithë anëtarët e familjes së Selatin Gërxhalitut nga fshati Studime i Vushtrrisë, duke mos kursyer as fëmijën 5 vjeç.

Në nderim të kujtimit për të rënët, familjarë, përfaqësues institucional dhe politik  dhe drejtues të organizatave të luftës, kanë marrë pjesë në Akademinë e organizuar në Vushtrri dhe në homazhet në varrezat e martirëve në Studime të Vushtrrisë.

Në fjalën e tij në akademinë përkujtimore për të rënët, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se sot qyteti i Vushtrrisë i përkujton me mall dhe krenari 13 anëtarët e familjes Gërxhaliu që u bënë themel i Lirisë së Kosovës. 

Duke bërë thirrje publike për institucionet e Drejtësisë vendore dhe atyre ndërkombëtare që të japin drejtësi për të rënët e familjes Gërxhaliu, kryetari  Tahiri tha se liria e Kosovës është ujitur me gjakun edhe të fëmijëve e anëtarëve tjerë të familjes së Selatin Gërxhaliut.

“Liria dhe Pavarësia jonë nuk do të janë të plota deri atëherë kur kryesit e këtyre krimeve, si dhe bartësit e funksioneve publike të asaj kohe në Vushtrri, të dalin para drejtësisë”, ka thënë Tahiri. 

Edhe pse u bënë dy dekada dhe ka dëshmi të forta për krimin që forcat serbe kryen me 31 maj në Studime, ende askush nuk është dal para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat