Mbyllja e lojërave të fatit, 5 mijë veta presin që të kthehen në vendet e punës

Kosova

Mbyllja e lojërave të fatit, 5 mijë veta presin që të kthehen në vendet e punës

Më: 31 maj 2019 Në ora: 21:07
Foto ilustrim

Shoqata e Lojërave të Fatit në Kosovë ka ndërmarrë një iniciativë që përmes Zyrës së Avokatit të Popullit të zhvletësojë Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, të miratuar në Kuvendin e Kosovës rreth dy muaj më parë.

Sipas shoqatës, Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit cenon të drejtën në pronë të kompanive që kanë operuar në këtë biznes. Po ashtu, shoqata thotë se veprimtaria e lojërave të fatit është ndaluar pa analizuar humbjet e vendeve të punës që gjeneronte ky sektor.

“Pa marr parasysh konsekuencat që përcjellin Projektligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, ajo që është më shqetësuese, në fakt – alarmuese – është prurja e sistemit juridik në Republikën e Kosovës para një situate aq të pasigurt sa që rrezikon të shkilen parimet fundamentale mbi të cilat qëndron bazamenti i shtetit të së drejtës, e për më tepër shkilen të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në kërkesën e Shoqatës së Lojërave të Fatit, të cilën e ka siguruar Insajderi.

Image

Sipas kërkesës, Ligji në fjalë shkel Deklaratën Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Cenimi i të drejtës në pronë – çdo kush ka të drejtë në pronë dhe pasuri, vetëm apo në bashkësi me të tjerët dhe askush nuk bën që në mënyrë arbitrare të privohet nga pasuria e vet. Këto dispozita për mbrojtjen e pronësisë që i përmban Neni 17, i Deklaratës Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe kjo nënkupton jo vetëm lirinë e posedimit në pronë, por ia përjashton tjetrit të drejtit që dikujt t’ia marrë pasurinë në mënyrë arbitrare”, thuhet në kërkesë.

Shoqata, përmes kërkesës së dërguar Zyrës së Avokatit të Popullit, synon që Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“I kërkojmë avokatit të popullit që sipas Nenit 113, paragrafi 2, pika 1, me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit – të ngrisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës çështjen e përputhshmërisë së Ligjit në fjalë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe me aktet juridike ndërkombëtare që janë drejtpërsëdrejti të zbatueshme në Republikën e Kosovës”, përfundon kërkesa.

Kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, pati thënë muajin e kaluar se mbi 5 mijë vende pune do të shuhen me mbylljen e lojërave të fatit, si dhe shteti do t’i humbë mbi 50 milionë euro qarkullim.

Më 22 mars, autoritetet shtetërore mbyllën qindra biznese të lojërave të fatit.

Operacioni i 22 marsit ka përfshirë mbi 1 mijë zyrtarë të ndryshëm qoftë të policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.

Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 161 zyrtarë të ATK-së dhe 77 të Doganës së Kosovës morën pjesë në këtë aksion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat