Deliu-Kodra: Sulmi ndaj gruas rome veprim racist – linçimi publik e nxiti dhunën

Kosova

Deliu-Kodra: Sulmi ndaj gruas rome veprim racist – linçimi publik e nxiti dhunën

Më: 31 maj 2019 Në ora: 21:42
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra

Gruaja e komunitetit rom është sulmuar sërish në mënyrë brutale. Ajo sot ishte cak i sulmit nga disa të rinj në Ferizaj derisa të mërkurën ishte sulmuar në Lipjan.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se ky rast është veprim racist që e sfidon shoqërinë dhe institucionet.

“Ne jemi shokuar qysh ditën e parë kur ka ndodhur. Kemi pasë menjëherë reagime  institucionale, por kjo që ka ndodhur sot e shumëfishon aktin e dhunës sepse është sulm i përsëritur dhe për shkak se edhe ata të cilët po e përcjellin këtë sulm janë promovues të këtyre akteve të dhunës”.

“Është akt vandal dhe veprim racist që e sfidon shoqërinë dhe institucionet e vendit, prandaj duhet të merret dhe trajtohet me shumë seriozitet”.

“Jo për faktin se ajo grua është e komunitetit rom, por se në radhë të parë është një qytetare e Republikës së Kosovës dhe si e tillë duhet të trajtohet dinjitetshëm. Fakti që ajo është përfaqësuese e komunitetit rom e vështirëson edhe më shumë këtë proces sepse institucionet janë munduar vazhdimisht që të dëshmojnë që Kosova është shtet që respekton komunitetet”.

Deliu-Kodra në Info Magazine ka kërkuar që për këtë rast të merren masat e duhura derisa ka thënë se dhuna e ushtruar ndaj gruas rome është nxitur nga linçimi i saj publik në rrjete sociale.

“Ky veprim është i paprecedentë dhe duhet të dënohet nga të gjithë akterët. Unë nuk mendoj dhe nuk do të duhej që ky rast të ndalej në nivelin e deklaratave, deklarimeve dhe të reagimeve”.

“Mendoj që institucionet duhet sa më parë të marrin masa sepse po ndodh për herë të dytrë dhe po duket që është sulm i organizuar, prandaj duhet të dihet në radhe të parë se ku është gjeneza e këtij veprimi të pafalshëm”.

“Mendoj që duhet të kthehemi në retrospektivë. Mëngjesin e të mërkurës kam parë në rrjete sociale si është linçuar ajo grua në media ku thuhet se po kidnapon fëmijë dhe si e tillë kërkohet nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në rast se e takojnë”.

“Këtu fillon linçimi i saj publik që e nxit dhunën dhe i detyron këta të rinj që të sillen ashtu si u sollën pardje në Lipjan dhe sot në Ferizaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat