Të vdesësh në punë, nuk është e shkruar, nuk është fat, është papërgjegjshmëri e shefit dhe shtetit

Kosova

Të vdesësh në punë, nuk është e shkruar, nuk është fat, është papërgjegjshmëri e shefit dhe shtetit

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 12:34
I ndjeri, Naim Emini

Dje, në Podujevë, në vendin e punës ka ndërruar jetë Naim Emini, qytetarë nga komuna e Podujevës, i gjashti ky për këtë vit.

Emini, 38 vjec nga fshati Siboc, komuna e Podujevës, dje duke punuar ka rënë nga një lartësi 5 metra, derisa po punonte në ndërtimtari, në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës.

Të dëshpruar dhe thellësishtë të mërzitur familjarët e kanë shkruar një letër ku kanë shprehur jo vetëm shqetsimin për rastin e tyre, por edhe për të gjithë punëtorët e vendit, për të cilët siguria në punë, është e pa-sigurt

Ja letra e familjarëve

Pse-ve të shumë pyetjeve nuk mund tua dijmë përgjigjet. Disave sepse nuk është në dorën tonë, e disa të tjera nuk dijmë as kujt tia bëjmë, kujt ti drejtohemi, kujt ti themi pse ndodhi kjo? Kujt t’i kërkojmë përgjegjësi, kush do të jap llogari kur humbim më të dashurit tane në vendin e tyre të punës, për shkak të kushteve të këqija të punës? Ngushëllimi i vetëm që mund t’ia bëjmë vetes është “Kështu paska qenë e shkruar, kështu paska qenë fati i tij”. A kështu qenka fati i këtij populli? Po kush na e shkroi këtë fat? A quhet fat ky, kur cdo ditë shohim lajme me shpenzimet marramendëse të pushtetarëve tanë, në dreka, darka, udhëtime milionshe, në delegacione 30 vetash për një vizitë jasht shtetit, me vetura, villa, jetë luksoze gjithandej, përderisa një njeri i thjesht i këtij shteti punon për një pagë minimale për të mbajtur familjen dhe humb jetën pikërisht duke punuar. Në anen tjetër cdo ditë shohim deputetët në Kuvendin e Kosovës duke luftuar mes vete, sikur ne u kemi borgj ti dëgjojmë debatet e tyre të kota se kush është më patrioit, e nuk e dijmë a janë të ndergjegjshëm për arsyen që janë ulur në ato karrike të kuvendit. Janë ulur pikërisht nga ky popull i gjorë kinse për të punuar në përmirsimin e jetës së tyre, por mesa duket kjo qenka mënyra e tyre e punës.

Pikërisht këta të njejtit dalin nëpër media e u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ikin nga ky vend, se ky është vendi i shpresës. Po pse të mos ikim? Për cfarë shprese bëhet fjalë? Për shpresën që të rrisim fëmijët tanë në një vend ku në cdo moment mund të jenë të rrezikuar? Për shpresën që në cdo moment një kryefamiljarë mund të mos kthehet më në shtëpi, që mund të lë pas prindër të moshuar e fëmijë të vegjël për të cilët nuk do të kujdeset më ky shtet? Nuk besoj që ky mund të jetë fat, kështu nuk mund të jetë e shkruar. Shpesh na ka rënë të ndëgjojmë gjithashtu në lajme për të rinjtë që humbin jetën duke siguruar të ardhura për familjen e tyre, gjithmonë e kemi përjetuar rëndë, por nuk paska fjalë që mund ta përshkruaj këtë dhimbje.

Në ditën kur lindi, në ditën kur do festonte ditëlindjen pranë nënës e motrave, në këtë ditë po e dergojmë në banesën e tij të fundit. Shumë herët na le Naim, shumë herët ike, shumë herët iku mirësia jote, shumë herët mbetëm pa një shok të mirë, shumë herët mbetëm pa një njeri të dashur, shumë herët mbetëm pa humorin e buzëqeshjen tënde që sillte vetëm dritë. Ke lënë shumë dhimbje në këtë botë, ke lënë një vend bosh që nuk mund të zëvendësohet asnjëherë, sepse i tillë ishe ti. Qoftë i lehtë dheu për ty,u prefsh në paqe kusherini ynë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat