Dështon gjykimi ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë lidhur me rastin e vdekjes së punëtorit teknik

Kosova

Dështon gjykimi ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë lidhur me rastin e vdekjes së punëtorit teknik

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 13:01
Pamje nga gjykimi

Mungesa e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, Jonuz Mazreku, i cili po akuzohet për asgjësim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës, ka bërë që të dështojë shqyrtimi i dytë, i paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Gjykatësi Njazi Morina, ka deklaruar se i akuzuari Mazreku përmes një parashtrese, ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër me arsyetimin se gjendet në tretman mjekësor, deri më 11 qershor 2019.

Në mungesë të tij, gjykatësi Morina, tha se kjo seancë është shtyrë për 3 korrik 2019, në ora 11:20, ndërsa sipas tij, palët do të ftohen me ftesa të rregullta, raporton betimipërdrejtësi.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë rast më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Jonuz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë  e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti, dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat