Mjekët e QKUK-së ia heqinn fëmijës bulonin që e kishte gëlltitur para 4 viteve - Bota Sot
Mjekët e QKUK-së ia heqinn fëmijës bulonin që e kishte gëlltitur para 4 viteve

Kosova

Mjekët e QKUK-së ia heqinn fëmijës bulonin që e kishte gëlltitur para 4 viteve

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 18:35
QKUK

Fëmijës 9-vjeçar nga Suhareka iu hoq një bulon nga rrugët e frymëmarrjes të cilin e kishte gëlltitur para katër vitesh. Intervenimi u krye nga mjekët e ORL-së në QKUK

Kur ishte vetëm 4-vjeç M.G. e gëlltiti një bulon i cili përfundoi në rrugët e frymëmarrjes në trupin e tij. Fëmija nuk ishte i vetëdijshëm se çfarë kishte ndodhur e as familjarët nuk ishin në dijeni. Ata mendonin se fëmija ishte sëmurë pasi gjatë gjithë kohës kollitej.

Babai i tij, N.G. tregon se ka pasur shumë vështirësi të flinte natën dhe shpesh detyrohej t’ia hapte edhe dritaren për ajër të pastër. Prindi thotë se nuk ka lënë mjek pa e dërguar dhe ka përdorur mjaft shumë terapi të barnave dhe inhalim. Por diagnoza iu gjet vetëm pasi iu bë një rëntgen në Spitalin e Prizrenit.

Image

Rëntgeni shfaqi bulonin i cili kishte ngecur prej vitesh në sistemin respirator të fëmijës. Mjekët e Prizrenit e referuan pacientin e vogël për në QKUK ku me mjaft vështirësi mjekët e ORL-së arritën t’ia heqin pas dy intervenimeve. Babai me lot në sy shpreh mirënjohjen për mjekët për të cilët thotë se ia shpëtuan djalin. Madje nuk mund ta përmbaj vetën as kur e përqafon anesteziologun Dr. Lulzim Emini, të cilit ia atribuon meritat kryesore.

Intervenimet për heqjen e bulonit nga trupi i 9-vjeçarit janë kryer nga ekipi i otorinolaringologëve në krye me Dr. Afrim Heta dhe ekipi i anesteziologëve në krye me Dr. Lulzim Emini.

Image

Mjeku Emini thotë se heqja e trupit të huaj nga rrugët e frymëmarrjes është mjaft e vështirë. Kujtoni, thotë ai, kur një pikë ujë kalon në kanalin e frymëmarrjes çfarë kollitje dhe vështirësi shkakton.

“Tani paramendoni kur hyn një trup i huaj dhe ai fillon me bë vendin. Pas tre vjetësh formohet një ind i cili zvogëlon edhe më tepër diametrin e rrugës së frymëmarrjes dhe ajo pjesë e mushkërisë infektohet më shumë dhe fëmija gjithmonë ka probleme. Në këto raste më së lehti është me heq ditën e parë, edhe në një javë është vështirë e lëre më me vite”, thotë mjeku.

Emini tregon se fëmijës i janë bërë dy intervenime, pasi i pari kishte dështuar. “Në fund të javës së kaluar e kemi futur në sallë për një orë e gjysmë. E kemi marr një aparaturë nga Spitali i Prizrenit, e cila është e mirë por ka nevojë të pasurohet edhe me disa kapëse tjera. Nuk kemi mundur me nxjerr për shkak se kemi pas frikë që gjatë nxjerrjes mund të shkaktojmë më shumë probleme. Trupi i huaj ka qenë rreth 7x5mm. Gjendja e fëmijës ka filluar të vështirësohet dhe kemi hequr dorë”, tregon tutje mjeku.

Ai thotë se janë konsultuar me kirurgë torakal e pulmolog, ndërsa kanë pasur mendime për ta dërguar edhe jashtë vendit. Por për shkaqe objektive prindi nuk kishte mundur të dilte jashtë Kosovës dhe rastin e fëmijës së tij ua kishte besuar mjekëve të QKUK-së për herë të dytë.

“Ne vendosëm që të hyjmë sërish në sallë, megjithëse ishim në dijeni se çfarë vështirësie po na pret. Prindërit janë pajtuar dhe kemi hyrë në sallë për herë të dytë dhe pas rreth 1 ore e kemi nxjerr trupin e huaj përmes bronhoskopit. Intervenimi është kryer me anestezion të përgjithshëm”, ka treguar Emini.

Ai ka kërkuar nga menaxhmenti që t’i pajisë me kapëse shtesë të bronhoskopit, të cilat do t’ua lehtësonin shumë punën në këto raste.

“Suksesi në këtë rast tregon përkushtimin e sallës së ORL-së. Përkushtimi është maksimal saqë në fytyrat e stafit nuk e dallon nëse fëmija është i tyre apo vetëm pacient. Fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore, trupi i huaj normalisht nuk është më aty. Ende është i shtrirë në klinikën e ORL-së, ndërsa ka pas konsulta edhe në Pediatri”, ka bërë të ditur anesteziologu.

Ai iu ka bërë thirrje prindërve të fëmijëve deri 5-6 vjeç që të kenë kujdes me objekte të vogla dhe ushqime të forta. “Prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm me fëmijët, sa i përket lodrave të tyre, madhësisë dhe pjesëve të tyre. Në duart e fëmijëve deri në moshën 5-6 vjeçare nuk duhet të ketë copa të vogla të materialeve të forta, qoftë të lodrave apo ushqimeve siç janë kikirikët, bademat etj. Të gjitha këto janë potencialisht të rrezikshme që fëmijët t’i fusin në gojë dhe të përfundojnë në rrugët respiratorë”, ka përfunduar Emini.

Kujtojmë se mjekët e ORL-së që disa herë kanë kryer intervenime për heqjen e trupave të huaj të cilët rrezikonin jetën e fëmijëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat