Në kuadër të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Obiliqit në bashkëpunim me organizatën humanitare "Ndihmo edhe Ti" , falë mjeteve financiare të mbledhura nga donatorët e shumtë në Gala Mbrëmjen e organizuar javë më parë, sot ka filluar ndërtimi i shtëpisë për familjen Aliu në Plemetin, e cila jeton në kushte të rënda për jetesë.
Në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të kësaj shtëpie ishin të pranishëm kryetari i Komunës Xhafer Gashi, nënkryetari Ibush Mjekiqi, kryesuesi i Kuvendit Burim Gërguri, drejtoresha e DSHMS-së Vlora Kabashi, drejtori i QKMF-së dhe përfaqësues nga organizata humanitare "Ndihmo edhe Ti".
Kryetari Gashi ka falënderuar donatorin nga Suedia Bajram Sinani dhe gjithë njerëzit humanë dhe solidarë, të cilët mundësojnë që këtyre familjeve t’iu kthehet buzëqeshja, duke theksuar se komuna e Obiliqit do të vazhdojë të punojë maksimalisht për përkrahjen në çdo mënyrë të familjeve me asistencë sociale.