Për të eksportuar në BE kërkohet rritje e cilësisë dhe plotësim i kërkesave të tyre

Kosova

Për të eksportuar në BE kërkohet rritje e cilësisë dhe plotësim i kërkesave të tyre

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 14:02
Pamje nga takimi

Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve në kuadër të diskutimeve për të njoftuar qytetarët për MSA-në që përmes kësaj me qenë më afër BE-së ka organizuar një debat në komunën e Kaçanikut për prodhimin vendor dhe tregun e BE-së.

Me këtë rast, u tha se për të depërtuar produktet kosovare në tregun evropian duhet cilësi më e madhe dhe plotësim të kërkesave dhe standardeve të BE-së.

Në këtë debat u theksuan dhe nevojat dhe kërkesat e prodhuesve vendor të cilët kërkuan më shumë mbështetje dhe rregullim të tregut.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi duke folur për rëndësinë e bujqësisë në komunën që ai drejton tha se përmes këtyre projekteve janë fermerët ata që përfitojnë.

 Ilazi: Problemi është si t’i joshim fermerët që të rrisin prodhimin

“Ajo që për mua ka qenë sfiduese gjatë mandatit të kaluar, problemi është që si t’i joshim fermerët që të rrisin prodhimin dhe si të mbajnë prodhimin”, tha ai.

 Pjesë e këtij diskutimi ishte dhe kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, u shpreh se problemi kryesor është tek tregu, pasi sipas tij pikat grumbulluese janë duke bërë manipulime dhe nga ana e institucioneve qendrore nuk po ka masa që i kushtëzojnë ato.

Suma: Nuk po ka ndonjë masë prej nivelit qendror për pikat grumbulluese

“Ajo që është shqetësuese për ata që kanë mbjellë  mjedrat dhe është dashur t’i asgjësojnë  ato pikërisht për shkak të tregut. Sepse këto pikat grumbulluese thjesht janë që po bëjnë hajgare me qytetarët. Nuk kemi ndonjë masë prej nivelit shtetëror që i kushtëzon pak dhe ata që merren me blerje dhe shitje”, tha Suma.

 Ndërkaq, menaxherja e programeve në sektorin e bujqësisë pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Daniela Topirceanau tregoi për rëndësinë e MSA-së dhe kërkesat që i ka BE-ja për produktet e Kosovës për tu bërë konkurrues në tregun e BE-së.

 Topirceanau: Tregu evropian ka shumë kërkesa

“Tregu evropian ka shumë kërkesa të cilat ceken dhe në legjislacionin e BE-së dhe Kosova që mund të eksportoj në tregun e saj duhet t’i ketë parasysh të gjitha këto kërkesa që i ka tregu evropian. Shumica e audiencës këtu janë prodhues. Ajo çka duhet të mbani mend që të gjitha produktet që eksportohen në Bashkimin Evropian duhet të plotësojnë kërkesa të caktuara dhe kalojnë kontrollimet e caktuara”, tha ajo.

Për mbështetjen e institucioneve foli shefi i divizionit për përkrahje direkte dhe politika tregtare në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Habil Zeqiri, tha se disa nga masat  që kanë ndërmarrë për t’i subvencionuar fermerët dhe do të përmirësoi këtë sektor.

 Zeqiri: Ne jemi në fazën e hartimit të një strategjie për avancimin e ndërmarrjeve agro-ekonomike

“ Ne jemi në fazën e hartimit të një strategjie për avancimin e ndërmarrjeve agro-ekonomike. Çka do të thotë, kjo lidhet me produktet që kanë nevojë për përpunim shumë të shpejtë, mjedra, dredhëza, vishnje. Jemi në hartimin e draftit të parë”, tha ai.

Edhe  qytetarë dhe prodhues të ndryshëm shprehën ankesat e tyre ku thanë se për të siguruar cilësinë e produkteve duhet mbështetje më e madhe e institucioneve përgjegjëse.

Ky debat u zhvillua në kuadër të projektit  “Përkrahje për komunikim në procesin për integrim evropian" që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat