Nis “Edukimi medial” edhe në disa shkolla të Gjilanit dhe Podujevës

Kosova

Nis “Edukimi medial” edhe në disa shkolla të Gjilanit dhe Podujevës

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 08:43
Foto ilustrim

Rreth 60 mësimdhënës të Gjilanit dhe Podujevës kanë ndjekur trajnimin e “Edukimit Medial” të organizuar nga profesorët e Departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës të mbështetur nga SBASHK’u.

Si ta kuptojmë median? Cilat janë funksionet e medias? Çka është komunikimi? Si krijohen përmbajtjet mediale? Cilat janë standardet profesionale dhe etike? Si ta dallojmë lajmin e rremë nga përmbajtja kredibile?

Këto dhe shumë dilema tjera janë shpjeguar në trajnimin për “Edukimin Medial” të organizuar nga profesorët e departamentit të Gazetarisë për rreth 60 profesorë të shkollave të Gjilanit dhe Podujevës. Në këtë trajnim kanë ligjëruar: Muhamet Jahiri, Blerta Blakaj, Alban Zeneli dhe Faton Ismajli.

Mësimdhënësit e këtyre dy qyteteve kanë marrë njohuri lidhur me gjykimin kritik mbi përmbajtjet mediale, për funksionet e mediave, përdorimin e rrjeteve sociale, dekonstruktimin e mesazheve që vijnë nga lajmet dhe reklama, përgjegjësinë shoqërore të mediave, aspektet etike e profesionale si dhe është shtruar kërkesa që “Edukimi medial” të propozohet si lëndë zgjedhore nga mësimdhënësit parauniversitar.  

Ky trajnim do të vazhdojë edhe në komunat tjera që mbështetet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kërkesa për “Edukim media” respektivisht për dije mbi dhe për mediat rritet kur shihen shifrat e fundit të përdorimit të internetit në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit të Eurostatit, 93 për qind e familjeve të Kosovës kanë qasje në internet dhe rrjedhimisht konsumojnë edhe përmbajtje mediale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat