Ja çka deklaroi Ramiz Lladrovci në Konventën zgjedhore

Kosova

Ja çka deklaroi Ramiz Lladrovci në Konventën zgjedhore

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 20:07
Ramiz Lladrovci

Në Konventën e 9-të zgjedhore të PDK-së, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur një fjalim, i cili është vlerësuar mjaft kritik ndaj dukurive negative.

Fjalimi i plotë:

“I nderuari Kryetar Veseli, Kryesi e punës, Të nderuar delegat të konventës, Sot, dua ta prezantoj modelin e qeverisjes në Drenas të PDK-së, model që për dy vjet e gjysmë i solli këto shpërblime për komunën tonë: 1.Komuna më transparente, 2.Komuna që u shpërblye për kriterin e barazisë gjinore, 3.Komuna me performancë të lartë në administratë, 4.Komuna me suksese në ruajtjen e ambientit, 5.Komuna e parë që largoi të gjithë zyrtarët me akuzë, Komuna që fitoi grante, me vlerë mbi 500 mijë euro donacione, përtej buxhetit të planifikuar dhe të lejuar të shtetit. Kjo siç po shihet, ne që nga 1 janari i vitit 2017 jemi duke sjell diçka të re, kjo po shihet: Është Dekadë e Re për pushtetin lokal. Dekadë e re me njerëz që e kanë për nder të emërohen, Dekadë e re me njerëz të arsimuar që vetëm meritokracia i solli në pozita, Dekadë e re për Drenasin dinamik me projekte dhe vizion në shërbim të qytetarit, me përkrahje pa rezervë nga lideri ynë, Kadri Veseli. Si i arritëm këto? Si arritëm të marrim 6 asambleistë nga partitë tjera në grupin tonë parlamentar, Si arritëm të jenë me ne familjet që nuk ishin deri tash në rrugëtimin tonë të përbashkët, Vetëm me një veprim: Duke zbatuar ligjin. Në këtë sallë, të nderuar bashkëpartiak, kemi mjaft që e zbatojnë ligjin. Por edhe e kundërta, kemi përfaqësues që edhe numërimin e votimit me kamerë e korrigjojnë. Këtu kemi përfaqësues që më kanë thënë, Ramiz na njihem dhe jemi miq, me qëllim për ta shkelur ligjin, jo i kam thënë.
 

Nuk lejoj shkelje ligji nëse ne njihemi e jemi miq. Pse disa deputet këtu, marrin qindra vota në Drenas, pa i shkel këmba kurrë në Drenas, Të nderuar, me buxhet të shtetit, bëjnë vota për veti dhe miqtë e vet, por jo për të mirën e qytetarëve që i përfaqësojnë. Prandaj, duke mos u përfaqësuar bastioni denjësisht me personalitetet më të mira, ka rënie të votave. Pasi hyri në pushtet PDK-ja, në vend që me hov të shtohet vota e PDK-së, ajo u shtua pak, për të rënë në nivelin më të ulët të zgjedhjeve në këto të fundit. Shkaku jemi na. Këtu jemi në këtë sallë. Të nderuar delegatë, Të zgjedhurit e rinj, nga kjo Konventë, duhet të heqin defektet në parti, si pjesë e një vizioni të ri, Dekadës së Re: Të largohen sabotatorët me votë kur vet nuk janë në pushtet, Të largohen shantazhuesit e partisë sot me votë, kur rrethin e parë e të dytë të familjarëve i ka sistemuar brenda institucioneve duke mos reflektuar misionin as vizionin e PDK-së, Të ndëshkohen me votë frenuesit e Dekadës së Re, larg të korruptuarit dhe profiterët.

Të largohen sot me votë keqpërdoruesit e besimit. të korrigjohen defektet në parti. Partia jonë merr besimin e rreth 200 mijë qytetarëve, për këto 20 vjet, si parti e dinjitetit, përkushtimit dhe vendosmërisë që projektin e heronjve e dëshmorëve tanë ta çojmë përpara. Shtet ku sundon ligji, demokracia, prosperiteti, ku çmohet dinjiteti dhe vlerat njerëzore. Ju të gjithë e dini, se u ngritëm kundër okupatorit për shkak të pabarazisë. Sot dua ta sulmoj pabarazinë e cila ndikon fuqishëm që njerëzit ta lëshojnë jo vetëm PDK-në por vendin tonë. Sot dua t’i sulmoj sabotatorët dhe grabitçarët e zhvillimit të PDK-së në parti të vlerave më të mira.

Dua të sulmoj ata që duan të pëlcasin nga pushteti dhe nga ndikimi jomeritor. Në parti nuk ka ndëshkim. Sot ndëshkoni me votë ata. Të marrë përgjegjësi secili që rekomandon veprime të gabueshme. Sot, kundërshtarët më të mëdhenj i kemi ata që përfituan më së shumti nga PDK-ja. Ky kuvend le të jetë shembull që funksionarët e lartë të punojnë secili në nëndegën e vet, sepse morën besimin por nuk e shtuan votën e PDK-së. Kundër meje, janë deklaruar edhe anëtarë të degës së PDK-së në Drenas e më gjerë, në media më akuzuan për gjëra qesharake. Këta keqbërës, kur filloi fushata, edhe pse kisha deklaruar dhjetëra herë se nuk do të kandidoj për kryetar dege, shumica kanë dezinformuar se do të dal kandidat dhe besimin e dhënë do ta keqpërdori. Pse kanë vepruar ashtu, e thjeshtë, ashtu kanë deklaruar keqpërdoruesit e besimit, keqpërdoruesit e pushtetit. Ata nuk e kanë besuar se ka njerëz që e mbajnë fjalën.

Këtë mundësi kur e kanë marrë disa, e kanë keqpërdor dhe po e keqpërdorin. Duhet të mbështetemi në vlerat që çuan në themelimin e PDK-së, por keqpërdoruesit e besimit duhet të largohen. Të rinjtë duhet ta kenë hapësirën e pacenueshme. Pa qenë kandidat nga asnjë nivel, por me besimin e liderit tonë Kadri Veseli, po japim shembull për qeverisje lokale. Në asnjë rast, nuk e keqpërdori besimin e tij për të depërtuar tash në çdo lloj funksioni, duke uzurpuar çdo pozitë. Të gjithë duhet të kenë rast, jo një familje dhe një grup i përjetshëm qeverisës. Jam i bindur se metoda ime e punës sjell vota pa qenë anëtar kryesie apo Këshillit drejtues. As në këtë kuvend zgjedhor nuk do të kandidoj. Rruga e ndjekur nga unë, në shumë komuna do të fitonte si qasje, si angazhim dhe si përkushtim.

Sistemi që unë kam aplikuar, është i vlerësuar dhe jam krenar për këtë. Për këtë qeverisje, të vlerësuar ndërkombtarisht, s’ka arsye të jesh anëtar i Këshillit Drejtues, por të kesh besim. Unë besoj në vizionin e liderit tonë Kadri Veselit dhe Dekadës së Re. Nga viti 2017, jemi duke zbatuar Dekadën e re, në çdo hapësirë të komunës, me qeverisje shembullore, që PDK-në e bën liderë me vepra para qytetarëve. Hapësira për rini pa hipoteka, duhet krijuar me çdo kusht. Çfarë kam bërë unë? Unë kam bërë emërime të drejtuesve pa hipoteka por me vlera dhe përkushtim për zbatimin e ligjit. Ne për të gjithë studentët që i plotësuan kushtet, ua kemi dhënë bursat, shembull për çdo komunë. Si mund të kontribuojë dikush që shumë anëtarë të familjes i kanë në pozita kyçe, duke mos lejuar rrugë për prurje e aderime të reja. Këta njerëz që mendojnë gati – gati se e kanë pronë PDK-në, duhet të ndryshojnë.

PDK nuk është pronë e të emëruarve qoftë me meritë apo pa meritë e kompetencë. Dikush po ia zë frymën partisë me këtë metodë. Për fund, po e ilustroj me një barcoletë: Nëse e lëshojmë në përdorim një ujësjellës, ai normalisht sjell ujë, por me kohë, çezma mbledh gurë, mbeturina dhe pakësohet fuqia e rrjedhës se ujit. Prandaj, duhet angazhim për largimin e gurëve e mbeturinave nga çezma. Unë e kam pastruar çezmën, janë larguar mbeturinat dhe sot, Grupi ynë parlamentar, është shtuar me 6 asambleistë, anëtarësi të gjerë me gjithëpërfshirje në çdo nëndegë, përkundër sabotimeve dhe dezinformatave të zakonshme që e cilësojnë Drenasin.

Çelësi i të gjitha sukseseve të mia, mbetet zbatimi i ligjit, për të gjithë, njëjtë, pa dallim. Dekada e re dhe vizioni i liderit tonë Kadri Veseli, është një mundësi që duhet jetësuar. Në Drenas është në zbatim qe gati dy vjet. Votoni dhe përkrahni njerëzit që zbatojnë ligj e jo egot e veta, ata që e duan ligjin dhe punojnë që të kemi ligje sa më të mira! Urime dhe suksese!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat