Harrohet “msiti” me pare te shqiptarët, tash fatin e gjejnë përmes faqeve në Facebook

Kosova

Harrohet “msiti” me pare te shqiptarët, tash fatin e gjejnë përmes faqeve në Facebook

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Mësitnia te shqiptarët për shumë vite ka qenë urë lidhëse për lidhje që më vonë do të përfundonin me martesa. Përderisa dikur këto bëheshin nëpër oda e vendoseshin nga burrat, tashmë situata ka ndryshuar.

Shqiptarët kanë vendosur që t’i thonë jo traditave të vjetra të kërkimit të dorës për partnerë qysh ndodhte tradicionalisht. Një proces i tillë tani po bëhet përmes rrjeteve sociale, konkretisht Facebook’ut e ëeb faqeve që këto të fundit kanë hapur.

Image

Kjo madje po del të jenë mjaft funksionale, pasi që siç raportohet në këto faqe mjaft persona kanë gjetur shpirtin binjak, e kanë përfunduar në martesë. Mbi të gjitha, si kishte funksionuar më herët, ata që nuk gjejnë fatin vet, përmes këtyre profileve po shpëtojnë edhe para.

Por, si ka rrjedhur deri te këto faqe e çka konkretisht janë ato?

Në janar të vitit 2018-të në rrjetin social Facebook, figuron se është hapur një faqe që më vonë do të dilte mjaft aktive.

Image

Gati çdo ditë një numër i madh i personave, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia drejtohen te kjo faqe e përmes saj, duke dërguar të dhënat personale, tregojnë edhe tiparet e atë për të cilën janë të interesuar të gjejnë në partnerin potencial që mund të jetë duke kërkuar fatin përmes saj.

Fillimisht, të gjithë ata që drejtohen në këtë faqe shohin një paralajmërim nga stafi.

“Ju lutem lajmërohuni me adresa origjinale pasi që çdo gjë është konfidenciale anonim dhe kujdesemi maksimalisht për ruajtjen e privatësisë dhe identititetin e secilit/es”, shkruhet në njoftimin e kësaj llogarie.

Pas kësaj, që nga janari i vitit të kaluar janë publikuar edhe shumë profile të njerëzve të ndryshëm, të moshave të ndryshme, siç shihet edhe në foton e mëposhtme.

Ka edhe kërkesa nga më interesantet, siç është ajo kërkesa për t’i gjetur grua burrit, nga pamundësi që kjo grua që shkroi njoftimin thotë se pati për të lindur vetë fëmijë.

Në fund, çdo herë kur ka bashkime që përfundojnë me kurorëzim, në këtë faqe bëhet e ditur duke shkruar një postim, e duke uruar jetë të lumtur.

 Mijëra persona janë pjesë e grupit, ashtu siç edhe vërehet nga pëlqimet që i kanë bërë, megjithatë, kjo faqe nuk është e vetmja e këtij lloji.

Gati me të njëjtin emër, është edhe një faqe tjetër, e që shkruhet se është agjenci për lidhje mes personave që kërkojnë partnerë.

Image

“Ne jemi agjenci për lidhje mes personave që kërkojnë partnerë. Nëse njihni ndonjë që është e ndarë apo vejush ose për X arsye nuk e kanë gjetur fatin, ja sygjeroni këtë faqe pasi që kemi shumë kërkesa, si nga vendi ashtu edhe nga vendet e BE-së”, shkruhet në njoftimin e faqes.

Megjithatë kjo e fundit ka avancuar pak sa i përket kërkimit të personave që janë ‘single’, pasi që me të njëjtin emër kanë hapur edhe një ëeb faqe e për të njëjtën në rast anëtarësimi kërkojnë edhe para.

Për një muaj duhet të paguhet shuma prej 2 eurove, e 20 euro nëse një përdorues kërkon që të përdor faqen për t’u njoftuar me persona të rinjë për 1 vit.

Image

“Kjo është faqe ku ne si Admin bëjmë vetëm ndërmjetësim (msit) në mes dy personave që janë të interesuar për të krijuar një lidhje serioze”, shkruhet në njoftimin e publikuar në faqe.

Këtu mundësohet edhe që të komunikohet përmes chatit me adminët e faqes.

Agjenci të njejta si këto dy nga Kosova e që funksionojnë përmes rrjeteve sociale, kanë edhe në shtetin serb.

Media pati raportuar se në një faqe të quajtur  “Dionis – agencija za bracno posredovanje” me Seli në Sutomore, Tiranë, Shkodër, Beograd dhe Bar që në shqip do të thotë “Agjencia për ndërmjetësim –Dionis”, shihen dhjetëra raste, kur shqiptaret janë martuar me serbë, përmes ndërmjetësimit.

Ata të cilët i besojnë kësaj agjencie në gjetje të fatit të tyre, nuk ngurrojnë që aty t’i publikojnë të dhënat personale e fotografitë.  Kështu në faqe ka raste, që sipas agjencisë kanë përfunduar në martesa të suksesshme.  Aty shihen edhe disa raste ku vërehet diferencë në moshë mes partnerëve.

Image

Faqja që është krijuar në vitin 2015, këtë vit nuk ka qenë shumë aktive, ndërsa të gjitha aktivitetet i publikojnë në gjuhën serbe.

Në një intervistë të dhënë para disa viteve, shkruhej se shkaku i këtij fenomeni të martesave ishte kryesisht gjendja e keqe ekonomike e shqiptareve.

Titulli i shkrimit ishte “Pse martohet shqiptaret në Serbi e në Mal të Zi”? Kjo agjenci, sipas shkrimit thuhet se ka marrëveshje bashkëpunimi me agjenci që me të njëjtin emër funksionin në disa vende.

Agjenti i cili kryen shërbimin paguhet deri në 3 mijë euro, thuhet në shkrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat