Përurohet memoriali “Shqiponja” në Podujevë

Kosova

Përurohet memoriali “Shqiponja” në Podujevë

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 11:05
Vendosja e Shqiponjës

(E plotësuar) - Në 20 vjetorin e çlirimit të komunës së Podujevës është përuruar memoriali “Shqiponja”, që është vendosur pak kilometra larg pikës kufitare me Serbinë.

Ideja për vendosjen e këtij memoriali ka qenë e Florent Hasanit,  i cili është edhe asamblist në Komunën e Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa investitori është Muhamet Hasani.

Në përurimin e këtij memoriali ka marrë pjesë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa, i cili tha se nuk ka ndjesi më të mirë sesa kur nën intonimin e himnit kombëtar me të cilin e kanë përfunduar luftën e UÇK-së të gjenden para monumentit të “Shqiponjës”.

Mustafa: Kjo shqiponjë që sot do ta zbulojmë do të fluturojë e lirë bashkë me ne

“Në fund shekullin e kaluar Zoti dhuroi për shqiptarët tri shkronjat e arta, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.Të gjithë të mbledhur tok rreth saj, kush me armë e kush me ndihmë, ne nuk lejuam ndarjen në atë kohë, nuk lejojmë as sot në rrugëtimin tonë për liri. UÇK në fundshekull ka hapur rrugën për jetë, për liri më të mirë, ka pru rreth vetës aleat më të qytetëruar të botës mbarë përtej bashkimit kombëtar, gjithë bota mbarë u vu në shërbim të kauzës sonë, të lirisë sonë të shqiptarëve. Po jetojmë në dekadën e parë të shekullit 21, shekulli 21 dekada e parë do të jetë fundi i armiqësive të shqiptarëve me shtete në rajon dhe të përkrahur edhe bashkërisht me NATO-në, ShBA-të dhe shtetet miqësore ne do të ndërtojmë një strategji të re e cila do të ndërtojë miqësi me të gjitha shtetet përreth. Kjo shqiponjë që sot do ta zbulojmë do të fluturojë e lirë, do të rrugëtojë e lirë bashkë me ne , tha Mustafa.

Në përurimin e monumentit “Shqiponja” ka marrë pjesë edhe gazetari Marin Mema, i cili tha se përulet para sakrificës së luftëtarëve dhe veprës së tyre.

Ai tha se respekton veprën e luftëtarëve pasi shumë prej tyre mund të bënin jetë komode, por që kanë zgjedhur të luftojnë, të vdesin për kombin dhe për flamurin. 

Mema: Për mua ky monument simbolizon pikërisht sakrificat, lotët, dhimbjet e nënave

“Për mua ky monument simbolizon pikërisht sakrificat, lotët, dhimbjet e nënave, baballarëve, e fëmijëve që ende sot e kësaj dite nuk kanë një varr ku të prehen, e fëmijëve, baballarëve, nënave dhe gjysheve që ende sot nuk dihet ku gjende dhe askush nuk e merr përgjegjësinë për ta. Por, në të njëjtën kohë ky monument për mua simbolizon edhe të ardhmen, duhet të tregohemi të aftë të ndërtojmë të ardhmen, askush nuk do të na fal asgjë, jemi vet ne që duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, jemi ne vet që duhet t’i japim udhë asaj që na do zemra, pa e bërë këtë asgjë nuk do të ndodh. Për mua e ardhmja është absolutisht forcimi i ekonomisë tonë kombëtare, sepse nga aty nis gjithçka. Trojet shqiptare janë të pasura, por për fat të keq sot pasuritë e trojeve shqiptare grabiten, masakrohen, dhunojnë dhe ne sot po na ikin të gjithë të rinjtë në trojet shqiptare. Dhe kjo është e pafalshme, prandaj ne sot duhet t ë dimë të gjithë bashkë të ndërtojnë të ardhmen tonë, sepse kaluam luftën, sakrifica, qëndruam në këmbë dhe ky monumenti këtu është pikërisht simboli që ne jemi këtu në këmbë, por tash vërtet duhet të dimë të përballojmë një sakrificë tjetër, të ndërtojmë të ardhmen tonë”, tha Mema.

Ai tha se nuk do të lejojë asnjëherë që dikush ta përçajë me vëllezërit e tij në Dardani, pasi sipas tij gjakun e kanë bashkë dhe të ardhmen nuk mund ta ndal askush që ta kenë bashkë.

Në përurimin e këtij memoriali nuk kanë marrë pjesë zyrtarë nga komuna e Podujevës.

***

Te rreth rrotullimi i rrugës Prishtinë – Merdare”, në Podujevë përurohet memoriali “Shqiponja”. Ky përurim bëhet në 20 vjetorin e çlirimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat