Komuniteti egjiptas nis Javën e tyre në Kosovë, kërkojnë barazi për të gjithë

Kosova

Komuniteti egjiptas nis Javën e tyre në Kosovë, kërkojnë barazi për të gjithë

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 14:38
Protesta

Pjesëtarë të komunitetit egjiptas në Kosovë kanë protestuar sot para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës duke kërkuar punësim dhe të drejta të barabarta me të gjitha komunitetet tjera në vend.

Me një protestë paqësore, ata kanë hapur Javën e Egjiptasëve duke u thënë institucioneve se janë të aftë të punojnë në të gjitha profesionet, dhe jo vetëm të qëndrojnë pranë kontejnerëve dhe semaforëve në rrugë.

Me parulla "Meritojmë të jetojmë dinjitetshëm", "Duam të jetojmë të barabartë stop diskriminimit", "Ngjyra ime ka vlerë është dhuratë nga Zoti", "Jam komunitet, por kam identitet", ata kanë kërkuar nga institucionet që t'i trajtojnë të barabartë me të gjithë.

Smajl Demaj, aktivist në këtë organizim, tha se gjatë një viti diskriminohen e më 24 qershor shënojnë ditën e tyre. Ai tha se përbuzen veç pse ‘janë me ngjyrë’ dhe kërkojnë lëmoshë.

Demaj: Duam të trajtohemi të barabartë

“Duam të trajtohemi të barabartë, të jetojmë të barabartë, nuk duam diskriminim, duam punë dhe nuk duam lëmoshë, duam të trajtohemi në mënyrë të drejtë. Duam edhe ne të kemi të drejta nëpër institucione, duam të jemi edhe ne ushtar, polic, nuk duam të jemi djem dhe vajza të kontejnerëve, të semaforët, por të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe të arsimuar në mënyrë të barabartë”, tha Demaj.

Demaj, në emër të tyre, lexoi deklaratën e përbashkët, ku u bëri thirrje institucioneve që t’i marrin parasysh, meqë siç tha ai, dinë të bëjnë edhe punë të tjera, por nuk u jepet mundësia.

Demaj: Jam komunitet, por nuk jam skllav

“Jam komunitet, por kam identitet, jam komunitet, por nuk jam skllav e as nuk dua të jem mostër e skllavërisë në kohën moderne e në demokraci. Edhe sa 24 qershor të tjerë duhet të vijnë e të dalim këtu në shesh dhe të bërtasim se duam sundimin e ligjit, që dua që ligjet për të më mbrojtur me Kushtetutë të respektohen, asgjë më shumë. Edhe sa duhet të bërtasim t’u tregojmë se nuk jemi djem dhe as vajzat e kontejnerëve dhe as semaforëve. Edhe ne dimë të drejtojmë një laps dhe të kemi dituri, dhe këtë nuk mund ta bëjmë, sepse me barkun e uritur nuk mësohet”, tha ai.

Në fund të protestës, aty ka dalë Besnik Tahiri në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilët i ka uruar për ditën e tyre.  

Ndryshe, në kuadër të Javës së Egjiptasve në Kosovë do të shënohet edhe Dita nacionale e këtij komuniteti më 24 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat