Qehaja: Ministri Bytyqi të mos miratojë tekstet e reja shkollore pa rishikimin e tyre

Kosova

Qehaja: Ministri Bytyqi të mos miratojë tekstet e reja shkollore pa rishikimin e tyre

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 12:10
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas vëzhgimit të procesit disa mujor të vlerësimit të teksteve të reja shkollore, Instituti Edguard, vlerëson se mangësitë e evidentuara në këtë proces kanë shthurur qëllimin parësor të Ministrisë për një proces transparent dhe tekste të mirëfillta, pasi këto të fundit nuk dallojnë substancialisht nga tekstet e mëparshme.

Në një konferencë për media të mbajtur nga përfaqësues të këtij instituti, u kërkua nga ministri Shyqiri  Bytyqi që të mos miratojë botimin e këtyre teksteve pa rishikimin e tyre.

Drejtori i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha se këto tekste duhet të rishikohet cilësia e këtyre teksteve shkollore, në mënyrë që MAShT të reflektojë mbi situatën, që të mos futen në sistem tekste shkollore që do të sjellin dëm.

Edhe pse ky proces do të marrë disa muaj kohë, Qehaja thotë se është më mirë të humbasin disa muaj sesa të dëmtohet gjenerata me tekste jo cilësore.

Ai tha se këto tekste nuk kanë ndonjë përmirësim nga testet e mëparshme. E sipas tij, tekstet e reja nuk do të luajnë rol as në lehtësimin e çantave shkollore të filloristëve.

Qehaja:  Bytyqi të mos miratojë tekstet e reja shkollore pa rishikimin paraparak të tyre

“Cilësia finale e teksteve të aprovuara për botim nuk dallon substancialisht nga tekstet e mëparshme. Për rrjedhojë edhe kërkojmë që ministri të mos miratojë këto tekste dhe të rishikojë këtë vendim dhe këto tekste paraprakisht... I kemi diku rreth 58 tekste të miratuara dhe 8 të refuzuara të cilat kanë ngelur pa një vlerësim fitues të ndonjë shtëpie fituese. Kjo tregon se diku 88 përqind të çdo teksti që ka aplikuar në këtë proces, si i tillë është aprovuar për botim. Kjo në vlerësimin tonë nxit dyshime pasi që një statistikë kaq e madhe e aprovimit të çfarëdo teksti në konkurs është e pakuptimtë në vlerësimin tonë”, tha ai.

Valëza Mjeku nga Instituti Edguard u shpreh se do të jetë e patolerueshme për të gjithë që tekstet e shumëpritura të mos dallojnë nga tekstet e mëparshme.

Pas vëzhgimit që u kanë bërë teksteve të reja shkollore, Mjeku u shpreh se vlerësojnë që mangësitë e evidentuara në proces kanë shthurur qëllimin parësor të Ministrisë për një proces transparent dhe tekste të mirëfillta.

Mjeku: Një numër mangësish cenojnë tej mase cilësinë finale të teksteve

“Është menaxhimi i procesit që garanton cilësi. Kjo përfshinë: sigurimin e përzgjedhjes transparente të recensentëve, përgatitjen dhe udhëzimin e recensentëve për proces të vlerësimit, sigurimin e sekretit të dorëshkrimeve, angazhim te recensentëve që mund të mbulojnë profesionalisht të gjitha standardet për hartimin e teksteve, sigurimi i mos komunikimit të recensentëve me shtëpi botuese, transparenca dhe dokumentimi i të gjitha hapave të procesit si dhe përfshirja aktive e KEPTSH në proces. Janë pikërisht mangësitë në këto pjesë të procesit që në vlerësimin tonë cenojnë tej mase cilësinë finale të teksteve për botim”, tha Mjeku.

Në fund, ajo tha se çfarëdo neglizhence që kontribuon në mungesë të cilësisë është e papranueshme

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat