Haradinaj: Suhareka, vend i kompanive të suksesshme që na bën të ndihemi krenarë

Kosova

Haradinaj: Suhareka, vend i kompanive të suksesshme që na bën të ndihemi krenarë

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 20:33
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në karnavalin tradicional “Golden Eagle”, organizuar nga “Frutex” në Suharekë

Duke e quajtur festën e sotme një sukses, kryeministri Haradinaj tha se sot të gjithë ne krenohemi me  “Golden Eagle”, brend e produkt tonin që është jo vetëm i Kosovës e i gjithë shqiptarëve, por është edhe ndërkombëtar.

“Sot kemi festë, është karnavali, por kemi festë sepse kemi një të arritur të madhe  që na bën krenar me punën e juaj, suksesin e të arriturat e juaja. Në Suharekë ka kompani të suksesshme, është edhe kompania Solid që prodhon këpucë, produkte që në të gjithë botën janë të besueshme dhe jam i bindur që ka plot kompani të tjera”, tha kryeministri Haradinaj duke veçuar se i vjen mirë që Qeveria komunale e Suharekës edhe kur ishte Kuçi por edhe tash Muharremaj, po gjejnë mënyra të bashkëpunimit me sipërmarrësit që t’i përkrahin në veprimtaritë e ndërsjella.

Kësisoj, siç potencoi kryeministri Haradinaj, duhet të çmojmë suksesin e përbashkët që e kemi në Suharekë por edhe në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se kjo festë është bërë tashmë traditë e kësaj komune dhe mbledhë të gjitha gjeneratat, të rinjtë, fëmijët, por edhe të moshuarit.

“Theranda ka njerëz përparimtarë, njerëz që kanë ide, njerëz punëtorë dhe të civilizuar”, tha kryetari Muharremaj, duke shtuar se komuna do t’u jap përkrahje të gjitha bizneseve të kësaj komune.

Drejtori i kompanisë “Frutex”, pjesë e së cilës është edhe  “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, tha se ky karnaval është festë unike në Kosovë që po organizohet për të dytën herë, por që origjinën e ka te karnavalet e organizuara  në kohën e ilirëve, të cilët këto festa i organizonin në fillim të pranverës.

“Ne sot po e organizojmë në muajin qershor, sepse qershori për ne është muaji i lirisë dhe nuk ka më mirë sesa festës së lirisë t’ia shtojmë ngjyrat e karnavalit, ngjyrat këto që paraqesin respektin dhe dashurinë për njëri- tjetrit”, tha Palushi.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe përfaqësues tjerë institucionalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat