Shënohet Dita Nacionale e Egjiptianëve, Kosova lidere në respektimin e pakicave

Kosova

Shënohet Dita Nacionale e Egjiptianëve, Kosova lidere në respektimin e pakicave

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 12:58
Kosova lidere në respektimin e pakicave

Është mbajtur pritja e organizuar me rastin e 24 Qershorit – Ditës Kombëtare të Komunitetit Egjiptas.

Në këtë organizim u tha se Kosova është lidere në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të komuniteteve.

Në pritje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se pavarësisht integrimit të komunitetit egjiptian në institucione, ka ende punë për t’u bërë për të drejtat e këtij komuniteti, siç është e drejta e banimit, e punësimit e të tjera.

Haradinaj: Komuniteti egjiptian ka ende vështirësi në punësim e banim

“Në kabinetin e Qeverisë ka dy këshilltar, njëri është i përhershëm politik dhe tjetri është për tema të dialogut, e tema të drejtave të komuniteteve. Kemi dy zëvendësministra, por nuk mjafton, pra kemi një gjendje në punësim të vështirë...poashtu, kemi vështirësi në zgjidhjen e të drejtës së banimit dhe të drejtat tjera, por jemi bashkë... ajo çka është Kosova sot e kemi krijuar së bashku, edhe lirinë e kemi krijuar së bashku”, tha Haradinaj.

Haradinaj kujtoi se me Partinë Liberale Egjiptiane në Kosovës janë  edhe partnerë të lokacionit, gjë për të cilën edhe i ka falënderuar.

Ndërsa, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se megjithë vështirësitë, viteve të fundit Kosova ka shënuar progres sa i përket të drejtave të komuniteteve.

Braathu: Ka pasur progres sa i përket respektimit të te drejtave të komuniteteve

“OSBE-ja punon me të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë komunitetin egjiptas. Punojmë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjislacionit të Kosovës. Këto të dyja ofrojnë më të mirën për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Nganjëherë ky zbatim mund të jetë sfidues por ligjet ekzistojnë dhe janë të shkëlqyera por të gjithë së bashku duhet të sigurohemi për zbatimin e tyre. Mendoj që viteve të fundit ka pasur progres sa i përket respektimit të këtyre të drejtave dhe përgjegjësive,” tha ai, duke shtuar se misioni i OSBE-së do të vazhdojë të punojë me autoritetet kosovare për respektimin e të drejtave të komuniteteve.

Ai ka uruar komunitetin egjiptas të Kosovës në ditën kombëtare të tyre.

E deputeti Veton Berisha, tha se ndihet i lumtur që komunitetit egjiptian në Kosovë po gëzojnë respektin e shumë munguar, duke u bërë kështu pjesë edhe e institucioneve qendrore e lokale.

Berisha:  I lumtur që në historinë e komunitetit egjiptian po ndodhin gjëra të bukura

“Ndihem jashtëzakonisht mirë dhe i lumtur që në historinë e komunitetit egjiptian, po ndodhin gjëra të bukura të cilat vërtetë  komunitetit egjiptian në  Ballkan i kanë munguar. Ato po ndodhin pikërisht në ditët tona ku komuniteti egjiptian falë angazhimit dhe këmbënguljes po e përjeton më të mirën, po  e njohin po e respektojnë dhe po kontribuojnë bashkërisht të gjitha institucionet qendrore dhe lokale bashkë më neve”, tha Berisha.

Megjithatë, Berisha shtoi se komuniteti egjiptian ende ka nevojë për dorën e shtetit në çështjet si mbijetesa, edukimi, dinjiteti si dhe marrja e përgjegjësive të reja.

E Rubin Zemon, deputet në Parlamentin e Maqedonisë Veriore, tha se Kosova është lidere në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të komuniteteve. 

Tha se është shembull jo vetëm në respektimin e këtyre të drejtave, por edhe integrimin e komuniteteve në jetën publike.

Zenon: Kosova lidere në rajon për respektimin e të drejtave të pakicave

“Është kënaqësi që të jem këtu në një moment historik, për të cilin shumë gjenerata egjiptiane kanë ëndërruar për këtë moment. Sot në këtë seli të qeverisë së Republikës së Kosovës ta festojmë së bashku me kreun politik shtetëror Ditën Kombëtare të Komunitetit Egjiptian. Sigurisht që Kosova tregon është një lider në rajon për të respektuar të drejtat e pakicave, jo vetëm të ruajtjes së identitetit por si dhe të integrohen pakicat në jetën publike të përditshme”, tha Zemon.

Kujtojmë se me vendim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, 24 qershori është shpallur, Dita Nacionale e Komunitetit Egjiptian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat