Fusha Kosova bëhet me ujë të pijshëm 24 orë në ditë

Kosova

Fusha Kosova bëhet me ujë të pijshëm 24 orë në ditë

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 12:04
Foto

Komuna e Fushë Kosovës prej sot ka furnizim të rregullt me ujë të pijes 24 orë në ditë, falë realizimit të projektit nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, të mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe qeveria Gjermane.

Ndonëse, nga ky inaugurim i lëshimit në funksion të linjës magjistrale për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, u bë thirrje qytetarëve të kësaj komune që mos ta keqpërdorin ujin.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se shumica e keqpërdorimit të ujit bëhet nga kyçje ilegale, ndërsa këtë investim e quajti të mjaft të rëndësishëm për banorët e Fushë Kosovës dhe rrethinës.

Lluka: Investim i qëlluar

“Është një investim mjaft me rëndësi për  vendin, një investim gjysmë milioni euro që është bërë edhe në restaurimin e rezervuarit në Shkabaj që përfshinë rreth 50 mijë banorë. Pra, është bërë një investim shumë i qëlluar. Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje qytetarëve që mos ta keqpërdorin ujin, sepse sot ne ballafaqoheni me humbje të mëdha të ujit të pijes”, theksoi Lluka.

Kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se beson që tashmë banorët e kësaj komune do të kenë ujë të pijes 24 orë, ndërsa vlerësoi se ky është investimi më i madh që nga paslufta.

Berisha: Një prej sukseseve më të mëdha që nga paslufta

“Sot është një ditë e shënuar për Fushë Kosovën, po bëjmë përurimin e projektit për 24 orë pa ndërprerë me ujë për qytetin dhe për fshatrat për këtë punë kanë kontribuuar shumë institucione të cilat i falënderojmë që nuk do të vuajnë më qytetarët për ujin. Besojmë dhe shpresojmë që qytetarët e Fushë Kosovës do të kenë 24 orë ujë në përpjekje nga kompania ujësjellësi, komuna dhe qytetarët për shpenzimin e ujit. Ky është një prej sukseseve më të mëdha që nga paslufta”, theksoi Berisha.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR 'Prishtina', Ilir Abdullahu, duke falënderuar edhe Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW)m, vlerësoj se këtë projekt e kanë merituar qytetarët e Fushës Kosovës, por njëherësh kërkoj nga ta që mos e keqpërdorin ujin e pijes.

Abdullahu: Qytetarët e Fushë Kosovës e kanë merituar këtë artikull jetësor

“Qytetarët e Fushë Kosovës e kanë merituar këtë artikull jetësor që sot ata e gëzojnë. Ka pasur vonesa, por po besoj që po bëhet një punë e mirë nga investimi prej gjysmë milioni euro. Impakti dhe përfitimet janë shumë më të mëdha për arsye se sot mbi 50 mijë banorë kanë një ujë kualitativ, ujë të pijes 24 orë. Ajo çka dua të them, kemi nevojë si kompani që qytetarët të kujdesën që mos ta keqpërdorin”, tha Abdullahu.

Abdullahu beson se shumë shpejt do të nisin edhe projekte të reja për ngritje të shërbimeve për qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat