Kosova përballë propagandës së Serbisë, a do të dështojë përsëri anëtarësimi në INTERPOL?

Kosova

Kosova përballë propagandës së Serbisë, a do të dështojë përsëri anëtarësimi në INTERPOL?

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 20:59

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it ka aprovuar kërkesën e Kosovës për për votim në Asamblenë e Përgjithshme.

Në nëntor të këtij viti Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, do të zhvillohet në shtetin e Kilit, e në këtë mbledhje pritet që anëtarësimi i Kosovës të jetë edhe si pikë e rendit të ditës.

Kjo për faktin se, Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

Mirëpo, pavarësisht këtij vendimi dhe dëshirës së madhe që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, sfidë kryesore e institucioneve kosovare mbetet lobimi në shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe lufta kundër propagandës së Serbisë.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, ka deklaruar për lajmi.net, se Kosova kësaj radhe duhet të jetë shumë e përgatitur dhe të mos e lëshoj rastin.

“Nuk e besoj që parashtrimi i kërkesës është bërë pa u parapërgatit si institucionet e si shtet. Duke marrë parasysh gjithë atë betejë që ka ndodhur gjatë kohës së fundit me Serbinë. Unë mendoj që Kosova kësaj here duhet me qenë shumë më e përgatitur edhe mos me ja lënë rastit që kjo tentativë e tretë të mos jetë tentativë e cila e qet Kosovën në një pozicion të cilin e kemi parë paraprakisht”, ka deklaruar Deliu për lajmi.net.

Deliu beson se tashmë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe institucionet e tjera, tashmë e kanë përfunduar fazën e lobimit për anëtarësim në INTERPOL.

“Besoj shumë që edhe me shtetet mike institucionet veçanërisht Ministria e Jashtme, por edhe përgjithësisht institucionet i kanë kryer fazën e lobimit, për të cilën natyrisht duhet ende kohë dhe duhet që të punohet deri në momentin e fundit në mënyrë që shtetet anëtare të mbështesin Kosovën në anëtarësimin e saj në INTERPOL”, ka deklaruar Deliu.

Sipas Deliut, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, do të jetë në interes edhe të vet kësaj organizate dhe shteteve anëtare mirëpo, ajo beson që këtë vit, institucionet kosovare do ta mundin qasjen e Serbisë për Kosovën.

“ Së pari besoj shumë që është interes edhe jo vetëm i shtetit të Kosovës, por edhe interes i INTERPOL-it dhe mekanizmave të tjerë që Kosova do të thotë jetë pjesë e këtij mekanizmi sepse nuk është avantazh i një shteti siç është Kosova por edhe avantazh i shteteve të tjera për tu bërë pjesë Kosova e një mekanizmi të tillë shumë të fuqishëm siç është INTERPOL-i. Prandaj po dua të besoj që institucionet kësaj here do ta dëshmojnë një seriozitet shumë më të madh edhe në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, por edhe në qasjen e institucioneve tona ndaj këtij anëtarësimi, kësaj tentative të tretë për t’u bërë anëtare”, ka deklaruar Deliu për lajmi.net.

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka thënë për lajmi.net, se anëtarësimi në organizatën botërore të Policisë do t’i ndihmonte përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në luftë kundër krimit, trafiqeve, shpëlarjes së parave, me një fjalë të gjitha veprimtarive të kundërligjshme.

Sipas Fetoshit, Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa energjik të lobimit dhe se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL varet edhe nga zhvillimet politike me Serbinë.

“Për ta siguruar mbështetjen e nevojshme, qeveria duhet të ndërmarrë hapa energjikë të lobimit, ndonëse mendoj që votimi mund të varet në masë të madhe edhe nga zhvillimet politike në rrafshin e dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Fetoshi për lajmi.net.

Sipas tij, presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës dhe pezullimi i saj në muajt në vijim do të mund t’i hapte rrugë Kosovës në anëtarësimin në INTERPOL dhe vendimit të BE-së për liberalizimin.

“Duke pasur parasysh presionin ndërkombëtar për heqjen e taksës, në muajt e ardhshëm kjo dhe çështja e marrëveshjes eventuale me Serbinë do të jenë tema përcaktuese për procesin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Prandaj, pezullimi i tarifës në muajt e vjeshtës do t’i hapte rrugë vazhdimit të përpjekjeve për marrëveshje, anëtarësimit në këtë organizatë dhe vendimit të BE-së për liberalizimin”, u shpreh Fetoshi.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Punëve të Brendshme për mos-lobimin e tyre në kohën e duhur në shtetet anëtare të INTERPOL-it.

“Nuk mund të them se gjithçka është e sigurt mirëpo, normal që edhe Ministria e Punëve të Jashtme edhe ajo e Punëve të Brendshme, shumë po vonohen në aspektin e lobimit. Edhe tash kur po vjen momenti i fundit po fillojnë angazhimet. Mendoj se është mirë që është aplikuar mirëpo shumë keq që ne jashtëzakonisht të dobët e kemi sistemin e lobimit tonë ndërkombëtar në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme edhe Ministria e Brendshme, por normalisht këtu hyn edhe Qeveria. Ky është hendikepi jonë më i madhi”, ka deklaruar Ibishi për lajmi.net.

Ai ka thënë se lobimi është element kyç për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Do me thënë lobimi është çështja më domethënëse në aspektin e pranimit. Mendoj se shanset për pranimin e Kosovës në INTERPOL janë, por krejt varet prej asaj se sa do të jemi agil në këtë situatë. E sidomos kur flas për lobim atëherë duhet t’i shfrytëzojmë edhe partnerët tanë strategjik që edhe ata ta bëjnë punën e vet. Nuk mundemi ne vet t’i dalim në krye të gjithë kësaj për shkak të një numri të duhur të 2/3 të Asamblesë së INTERPOLL-it. Mirëpo është mirë që kërkesa është pranuar dhe Komiteti Ekzekutiv do të thotë do ta fut në rend të ditës”, është shprehur Ibishi.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që në fazën përfundimtare të votimit të ketë numrat e duhur dhe për këtë, ai ka adresuar kritika në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Punëve të Brendshme, të cilat kanë dështuar për lobim.

“Por ajo çfarë është esenciale është që ne këtë çështje ta adresojmë në mënyrën më të mirë sidomos në fazën qysh herët, por sidomos në fazën përfundimtare të jemi të gatshëm ta kemi mbështetjen në aspektin numerik të votave për tu anëtarësuar. Unë kam vetëm kritika të mëdha për këto dy ministri nëse këto nuk e bëjnë punën se ajo ka dështuar në të kaluar prapë do të jemi në situatën e njëjtë”, ka deklaruar Ibishi për lajmi.net.

Duhet theksuar se deri më tani Kosova ka aplikuar dy herë në këtë organizatë. Në herën e parë në momentin e fundit Kosova është tërhequr ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, Kosova nuk arriti që t’i marrë votat e mjaftueshme nga Asambleja e Përgjithshme për shkak të propagandës së Serbisë.

Këtë vit është hera e tretë që Kosova do të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL dhe Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it do të zhvillohet në nëntor të këtij viti në Kili

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat