Analisti: Vendimi për Ekipin Negociator, hyrje në zgjedhje të reja

Kosova

Analisti: Vendimi për Ekipin Negociator, hyrje në zgjedhje të reja

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar se Delegacioni Shtetëror për Dialog është jokushtetues.

Analisti politik Artan Muhaxhiri është shprehur se ky vendim i Kushtetueses mund të sjellë zgjedhje të reja.

“Në Kosovë është çudi nëse merret ndonjë vendim apo ndodh diçka konstruktive sepse për gjëra destruktive që e trazojnë opinionin publik dhe sistemin politik jemi mësuar”.

“Ka disa vite që kemi vazhdimisht vendime të tilla dhe edhe ky vendim duhet të shihet në këtë çoroditjen e sistemit politik ku bëjnë pjesë të gjitha partitë politike, pra spektri politik në përgjithësi”.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, në aspektin politik, është një hyrje në zgjedhje të reja sepse nuk ka kuptim më që këto institucione ta vazhdojnë jetesën e tyre”.

“Po shihet qartë që këto institucione po i sjellin vetëm stagnim Kosovës dhe janë bërë tragji-komike”.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar disa nga arsyet se pse është koha që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Kemi një Kuvend jofunksional i cili mban mbledhje me nga 30 deputetë, kemi Qeverinë që ka vetëm 58 vota dhe nuk e ka as minimumin prej 61 votave dhe kemi një opozitë që më shumë e lufton pjesën tjetër të opozitës se sa presidentin apo qeverinë”.

“Është kaos politik i cili po rezulton me stagnim. Ne i pamë edhe konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së që 90 % ishin negative – nuk ka liberalizim të vizave, nuk ka ecuri sa i përket sundimit të ligjit dhe nuk ka ecuri sa i përket integrimit të Kosovës në BE”.

“Këto institucione me këtë mënyrë të funksionimit po i bëjnë dëm Kosovës dhe qytetarëve. Nevojitet një riformatizim dhe ristrukturim që së paku për një periudhë fillestare gjashtëmujore të ketë ndonjë zhvillim pozitiv sepse me këto institucione ka vetëm stagnim”.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës po rezulton të jetë problematike sepse interpretimi i saj po bën që Gjykata Kushtetuese ta ketë rolin kryesor në vend.

“Unë mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një goditje ndaj të gjithë njerëzve që e kanë përgatitur atë ligj sepse ne e kemi një problem të tmerrshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kushtetuta e Kosovës ose është aq e komplikuar sa që nuk po e merr vesh askush, ose nuk kemi juristë normal. Nëse Gjykata Kushtetuese i rrëzon dy presidentë, i konsideron si jokushtetuese plot pika të Marrëveshjes se Asociacionit dhe hedh poshtë Ekipin Negociator, atëherë është një problem i madh”.

“Duhet të ketë një marrëveshje se si të shkohet më tutje sepse është e pamundur që Gjykata Kushtetuese ta marrë rolin kryesor në shtet”.

Muhaxhiri ka thënë se Delegacioni Shtetëror për Dialogun në aspektin politik ka qenë i dobishëm për dy arsye.

“Aspekti i parë ka qenë që t’ia kufizojë presidentit [Hashim] Thaçi disa kompetenca sepse ai e ka pasë monopolin deri më tani dhe gjithë populli ka qenë në një lloj shantazhi sa i përket informatave”.

“Në aspektin e dytë, nuk mendoj se Kuvendi me këtë mënyrë të funksionimit ka pasë mundësi që të jetë i suksesshëm në raport me bisedimet me Serbinë”.

Ai ka deklaruar se sa i përket aspektit ligjor, ‘mëkatin’ e kanë Ekipi Negociator që nuk i kanë paraparë dhe parandaluar këto gjëra.

Muhaxhiri ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është befasuar me kompetencat që kanë rezultuar se i kishte Delegacioni Shtetëror për Dialogun.

“Ideja politike në opinion ka qenë që ky ekip është bërë si një lloj ndihmese për qeverinë dhe presidentin në mënyrë që t’iu ndihmojë këtyre dy institucioneve në realizimin e detyrave të nivelit të dytë, pra jo të nivelit të parë [të marrjes së vendimeve]”.

“Ideja ka qenë që asnjëherë nuk është thënë që ky Ekip Negociator do të ketë kompetenca ekzekutive. Po ashtu është thënë që çdo marrëveshje do të dërgohet në Kuvend ku do të duhej të legjitimohej me 2/3-at e votave si të gjitha marrëveshjet e rëndësishme”.

“Këto kompetenca ishin pak befasuese sepse deri më tani e gjithë ideja ka qenë që ky do të jetë një ekip ndihmës,  pra një lloj ure mes presidentit [Hashim] Thaçi , BE-së dhe qytetarëve të Kosovës”.

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se pas këtij vendimi të Kushtetueses, presidenti Hashim Thaçi do t’i ketë ‘duart më të lira’ në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ky vendim i jep më shumë kompetenca pas largimit të Ekipit Negociator. Ky ekip nuk i ka bërë presion të madh presidentit [Hashim] Thaçi, por vet ekzistenca e tij ka qenë presion simbolik”.

“Por, nëse [Hashim] Thaçi nëse shkon në Bruksel, atëherë do ta ketë shumë më të lehtë edhe sa i përket çështjes së diskutimit sepse opozita nuk ka dhënë asnjë alternativë”. “Mendoj që me këtë akt i ka humbur kuptimi të gjitha institucioneve, Kuvendit, kryeministrit dhe në një aspekt edhe presidentit. Po shihet që për asnjë vendim të madh nuk ekziston as minimumi i konsensusit dhe nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë më”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat