Mjekët bëjnë thirrje që të ruheni nga pickimi i rriqrave

Kosova

Mjekët bëjnë thirrje që të ruheni nga pickimi i rriqrave

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 08:01
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes.

Numri i të pickuarve ka arritur në 848 në komunën e Malishevës, 342 raste në komunën e Suharekës, 257 raste në komunën e Klinës dhe 125 në komunën e Rahovecit si pasojë e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe stalla dhe veshmbathjes jo adekuate.

“Kujdesi duhet të jetë i madh nga qytetarët sepse nga pickimi tashmë një person është diagnostikuar me ethe hemorragjike me gjendje te përmirësuar klinike, i cili më pas është lëshuar në shtëpi. Aktualisht, asnjë person nuk është i hospitalizuar me ethe hemorragjike krime kongo”, njofton IKSHP.

IKSHP shtoi se tashmë ekipet profesionale po bëjnë repelimin e kafshëve.

Më poshtë lexoni rekomandimet e Institutit Kombëtar:

1 Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,

2 Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,

3 Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),

4 Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,

5 Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,

6 Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,

7 Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),

8 Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,

9 Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat