Bujku nga Skenderaj u dëmtua 20 mijë euro nga breshëri, ankohet se nuk po kompensohet nga Qeveria

Kosova

Bujku nga Skenderaj u dëmtua 20 mijë euro nga breshëri, ankohet se nuk po kompensohet nga Qeveria

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 22:02
Pamje nga vendi i ngjarjes

Beqir Ahmetajt nga fshati Makermal i Komunës së Skënderajt, i janë dëmtuar 55 ari dredhëza nga breshëri i fundit apo investimi i 20 mijë eurove, mirëpo atij nuk i është vlerësuar dëmi, e as nuk është kompensuar për dëmet të cilat i janë shkaktuar në të kaluarën.

Beqir Ahmetaj nga Komuna e Skenderajt, ka të mbjellura 55 ari dredhëza në fshatin Makermal.

Vlera e investuar ishte mbi 20 mijë euro. Mirëpo breshëri i fundit i ka dëmtuar të gjitha të mbjellat. Ndërsa, thotë se askush nuk doli për të vlerësuar dëmin që iu shkaktua.

“Kam investuar 20 mijë euro në këtë vend. Vitin e kaluar kam marrë 3 mijë euro. Dëme nga breshëri kam pasur edhe vitin e kaluar por edhe këtë vit. Sipas ekspertëve bujqësorë parashihet të më jepen rreth 12 mijë euro. Nga humbjet e mëdha nuk po mundem aspak të marr veten me kredi e me borxhe. Sivjet kam investuar 4 mijë euro. Breshëri mi ka rrok prapë dhe unë nuk kam kurrfarë fitimi. Kam bërë ankesë ende nuk kanë ardhur për të vlerësuar dëmet”, thotë për RTV Dukagjinin, Beqir Ahmetaj.

Ahmetaj shprehet pesimist sa i përket kompensimit të dëmeve nga breshëri, pasi fatin e njëjtë e kishte pasur edhe vitin e kaluar ku mbi 8 mijë euro dëme akoma nuk i janë kompensuar.

“Për vitin e kaluar nga 8,800 euro asnjë cent nuk kam marrë. Kryeministri jonë i ka rimburësua vetëm dy komuna, Rahovecin dhe Suharekën. A jemi edhe ne Kosovë?!”, shton më tej Beqir Ahmetaj, përcjell Telegrafi.

RTV Dukagjini ka kontaktuar Komunën e Skenderajt, ku u tha se ekipet janë në teren duke parë dëmet, ndërsa së shpejti pritet një raport i përgjithshëm për këtë vlerën e tyre.

Ndërsa për akuzat e Ahmetajt se nuk i janë kompensuar mbi 8 mijë eurot e dëmit të vitit të kaluar, RTV Dukagjini ka kontaktuar Ministrinë e Bujqësisë, mirëpo këta të fundit nuk u përgjigjën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat