Dy familje shqiptare në konflikt për shkak të pronës që thonë se e kanë blerë nga serbi

Kosova

Dy familje shqiptare në konflikt për shkak të pronës që thonë se e kanë blerë nga serbi

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 16:17
Dy familje shqiptare në konflikt për shkak të pronës që thonë se e kanë blerë nga serbi

Një tokë në Fushë Kosovë është bërë mollë sherri në mes të dy familjeve. Të dy familjet pretendojnë se kanë të drejtë në këtë tokë të cilën e kanë blerë nga një serb.

Madje ky i fundit është sulmuar fizikisht nga njëri prej personave që pretendon se toka i takon atij.

Policia e ka arrestuar personin në fjalë ndërsa të enjten prapë ka pasur konflikt në mes familjeve Sylkaj dhe Bekteshi.

Selim Sylkaj vitin e kaluar është kthyer nga Suedia, vendin në të cilin po jetonte me vjet, për të investuar në Kosovë. I njëjti është interesuar edhe për blerjen e një toke në Fushë Kosovë, për të filluar punimet. Sylkaj tregon për KosovaPress se ka bërë marrëveshje për blerjen e kësaj toke, me serbin Millosh Zhivkoviq, tokë kjo në të cilën aktualisht është duke punuar dikush tjetër.       

Ai zotohet që ka dokumente që e vërtetojnë se kjo tokë prej dy hektarësh është e tij, dhe se e ka fletën poseduese. Serbi Zhivkoviq thotë se  i kishte thënë se e kishte fituar kontestin gjyqësor, dhe se kjo tokë është e tij. Për çka pala tjetër, sipas tij, e kishte rrahur serbin, të shtunën e kaluar.

Për rastin e rrahjes ka raportuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet:  “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull-serb shtetas i Serbisë me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njësiti policor gjatë kontrollit në trupin e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë me një karikator dhe 13 fishekë. Lidhur me rastin janë intervistuar  edhe katër persona meshkuj  K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Të enjten në pronën për të cilën po thuhet se është e kontestuar ka qëndruar edhe Policia e Kosovës, për parandalimin e ndonjë incidenti në mes të këtyre dy palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat