Një vit pritje për maturantët në rast dështimi në Testin e Maturës

Kosova

Një vit pritje për maturantët në rast dështimi në Testin e Maturës

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 21:40
Për këtë dështim, ata duhet të presin edhe një vit

Rreth 64.6% e maturantëve kanë kaluar testin e maturës. Pjesa e mbetur e kanë edhe fazën e dytë e cila sipas njohësve të çështjeve të arsimit është joprofesionale dhe jo zgjedhje e mirë për maturantët nëse dështojnë sërish në atë test.

Për këtë dështim, ata duhet të presin edhe një vit. Për këtë gjendje ata kanë fajësuar MASHT-in.

Dështimi i nxënësve në dy afatet Testit të Maturës, do t’i lë maturantët pa u regjistruar në asnjë universitet publik në Kosovë.

Këtë e pohon zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi.

“Nëse maturantët edhe në afatin e dytë nuk kanë sukses, atëherë ata nuk kanë mundësi tjera, por duhet të presin deri në vitin tjetër”, thotë Valmir Gashi.

Pritja për një vjet, për Rinor Qehajën nga Instituti EdGuard, është negative.

Ai lë fajtorë MASHT-in, që nuk e bën një zgjidhje për ata nxënës që dështojnë në dy afatet e Testit të Maturës.

“Ajo që ne shpresojmë është që edhe në testin e radhës të ketë një mbarëvajtje dhe rigorozitet sikurse në testimin e fundit. Fatkeqësi është se testi tjetër që mbahet pas disa muajsh ka shumë mangësi në menaxhim prandaj kemi edhe shpërdorime më të mëdha në testim. Instituti EdGuard vazhdimisht ka thënë se diplomimi i maturantëve të mos varet nga testi i maturës. Pra të jetë i mjaftueshëm vlerësimi i brendshëm në shkolla të mesme në mënyrë që maturantët të pajisen me diplomë. Kush është i interesuar për vazhdimin e shkollimit të mëtejshëm universitar atëherë testi i maturës të shërbejë si filtër për shkollimin e tyre të mëtejshëm”, tha për RTV Dukagjinin, Rinor Qehaja.

“Përgjegjësi mbetet mbi Ministrinë e Arsimit. Ata janë bartës të procesit. Ata kanë dështuar të ndëshkojnë shkelësit dhe në rend të parë administruesit e testit. Ajo që është proklamuar nga MASHT është njëfarë rigoroziteti selektiv. Pra në disa shkolla ka pasur mbarëvajtje ndërsa në shkolla tjera procesi ka qenë i shthurur”, shtoi më tej Rinor Qehaja.

Përndryshe, gjatë fazës së parë të testit  270  nxënës e 5 administrues janë përjashtuar gjatë procesit, të cilët kanë pasuar edhe dënime. Këtë vit 64.6% e kanë kaluar testin e maturës, pjesa tjetër do t’I nënshtrohet këtij testi gjatë muajve në vijim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat