Ikjet e të burgosurve nga spitalet, shteti thotë se i ka shtuar masat e sigurisë

Kosova

Ikjet e të burgosurve nga spitalet, shteti thotë se i ka shtuar masat e sigurisë

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 22:25
Drejtori i SHSKUK-së thotë se janë marrë masat për ta shtuar sigurinë në dhomat ku trajtohen të burgosurit.

Ditë më parë, një i burgosur po merrte shërbim shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes së tij të rëndë.

Mirëpo, teksa ndodhej në të ashtuquajturat dhomat e sigurta, ai kërceu nga dritarja dhe u largua, raporton KTV.

E për këto probleme, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë që nuk është shumë i informuar.

Ndërkaq, Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, thotë se janë marrë masat për ta shtuar sigurinë në dhomat ku trajtohen të burgosurit.

Siguria në këto dhoma në QKUK ku trajtohen të burgosurit, ka paraqitur shqetësim për KMLDNJ-në, të cilët thonë se mundësia e arratisjes është shumë e madhe.

E si zgjidhje për këtë, KMLDNJ-ja po e sheh ndërtimin e një spitali të veçantë për trajtimin e të burgosurve.

“Spitalet Rajonale dhe QKUK-ja mundësitë për arratisje janë 100% më të mëdha se nga një spital brenda hapësirës së Shërbimit Korrektues të Kosovës e që nuk po ndërtohet, por se po eksperimentohet me dhoma të sigurta. Brenda Burgut për Siguri të Lartë në Gërdoc, ka hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e një Spitali për të Burgosur, nuk do të kushtonte shumë dhe mjafton të bëhen disa renovime dhe përshtatje”, thuhet nga KMDLNJ-ja.

Por, Sejdiu thotë se ndërtimi i një spitali për të burgosurit nuk është i nevojshëm.

2 javë më parë, ambasadori amerikan, Philip Kossnet, kërkoi që të ndalen abuzimet me pushime mjekësore nga ana e të burgosurve.

Reagimi i tij kishte ardhur pas lirimit të Sabit Gecit.

Vetëm gjatë këtij viti, 5 persona kanë vdekur nëpër qendra korrektuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat