Në Klinikën e Oftalmologjisë investohen rreth 350 mijë euro në pajisje

Kosova

Në Klinikën e Oftalmologjisë investohen rreth 350 mijë euro në pajisje

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 11:40
Foto

Në Klinikën e Oftalmologjisë sot janë përuruar pajisjet e reja që janë blerë në vlerë prej 350 mijë euro, e që ky investim do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të kësaj klinike për diagnostikimin dhe operimin e sëmundjeve të syve në Prishtinë.

Kjo klinikë për herë të parë është furnizuar me mikroskop operativ për operimin e segmentit të pasmë të syrit, Cross-Linking për trajtimin e patologjive të koernesë së syrit, Optical Coherence Tomography për diagnostikimin e sëmundjeve të retinës dhe disa pajisje të tjera.

Me rastin e përurimit të këtyre pajisjeve, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, deklaroi se investime të tilla po bëhen me të vetmin qëllim që të ofrohen kushte më të mira për pacientët kosovar.

Ismaili: Qëllimi i këtyre investimeve është që ta ruajmë shëndetin dhe xhepin e qytetarëve

“Një investim i cili është bërë pas një kohe shumë të gjatë, afër 350 mijë euro të cilat janë investuar me qëllimin që të kemi shërbime më shumë, ngase kjo klinikë përpos punës së madhe që ka bërë është dashur në mungesë të pajisjeve është dashur t’i trajtojë pacientët jashtë institucioneve publike dhe kjo ka shkaktuar një shpenzim të madh të buxhetit tonë. Tani kemi krijuar një plan i cili do të jep investime, i cili do të rinovojë këto klinika, do të ketë material shpenzues në mënyrë që pacientët tanë të mos dërgohen jashtë vendit, po edhe të mos ketë lista të gjata të pritjes. Pra, qëllimi jonë i këtyre investimeve është që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve, por ta ruajë edhe xhepin e qytetarëve, ta ruajë edhe paranë e taksapaguesve tanë të mos shkojë në klinika të tjera të cilat më pastaj përfitojnë nga mungesa e këtyre shërbimeve. Sot mora një zotim nga drejtori i klinikës se do t ë bëjnë çmos që t’i fusin në funksion sa më shpejt dhe të japin shërbime sa më shpejt nga to. Pra, kjo është e rëndësisë së veçantë është hera e parë që po investohet në këtë formë që nga vite e vite më parë dhe pres nga mjekët këtu dhe nga menaxhmenti që t’i fusin në funksion sa më shpejt dhe të kemi shërbime sa më shumë”, u shpreh ai.

Investimi në pajisje sipas drejtori të ShSKUK-së Basri Sejdiu, do të ndikojë që pacientët të mos kërkojnë më shërim jashtë vendit, por të marrin shërbime në këtë klinikë.

Sejdiu: Investimi do të ndikojë që pacientët të mos dërgohen jashtë për trajtim

“Nga aspekti bazik kemi filluar që të bëjmë plane edhe nga aspekti i infrastrukturës. Ngritja në nivel e pajisjeve mjekësore që veç janë blerë shumë pajisje mjekësore të cilat kanë munguar prej se ekziston Klinika e Oftalmologjisë, është fjala për biomikroskopi dhe kjo na mundëson që të fillohet edhe me metoda të reja të operacionit siç është kirurgjia të cilën nuk e kemi bërë më herët. Normal në kuadër të edukimit dhe të stafit dhe kjo mandej do të ndikojë që pacientët të mos dërgohen jashtë për trajtim, por të kenë sa më afër dhe sa më lirë të bëhet trajtimi në Kosovë”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë, Adem Miftari, është shprehur i kënaqur me furnizimin me pajisje të reja, pasi sipas tij në këtë klinikë nuk është investuar prej vitit 1983 kur edhe është themeluar.

Miftari tha se nëse kanë përkrahje mund ta bëjnë Klinikën e Oftalmologjisë qendër referente regjionale për shërbime për sëmundjet e syrit.

Ai u shpreh se para dy javësh kur është mbajtur java e shëndetësisë turko-kosovare dhe në atë javë ai tha se janë bërë 14 operacione, ku 70 përqind janë bërë nga mjekët kosovar.

Miftari: Lista e pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit do të zvogëlohet

“Sipas parashikimeve të mija dhe komunikimet që i kemi me stafin tonë, si dhe gjendjen tonë momentale profesionale lista e pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit mbi 50 përqind do të zvogëlohet. Mbi 50 përqind e sëmundjeve që nuk janë trajtuar këtu do të trajtohen në klinikën tonë. Normal me politikat tona zhvillimore edhe furnizimi me pajisje të reja edhe shkollimi i stafit, unë besoj që për një kohë shumë të shkurtër, ndoshta në mandat 1 vjeçar, 2 vjeçar ne do të bëhemi qendër që do të trajtojmë jo vetëm tanët po edhe të tjerët do të vijnë tek ne dhe do të trajtohen”, potencoi ai.

Drejtori Miftari tha se do të punojnë shumë edhe në trajtimin e stafit në mënyrë që të ofrojnë shërbime sa më të mira për të gjithë pacientët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat