Lulëzojnë lojërat e fatit në Kosovë, arrestohen shkelësit e Ligjit

Kosova

Lulëzojnë lojërat e fatit në Kosovë, arrestohen shkelësit e Ligjit

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 15:13
Ilustrim

Lojërat e fatit janë të ndaluara me Ligj në Kosovë. Ani pse janë ilegale, shumë persona po e zhvillojnë këtë aktivitet fshehurazi. Por, shkelësit e Ligjit po arrestohen nga policia e lokalet e tyre po mbyllen.

Të dielën në zonën e Deçanit policia ka zhvilluar një aksion ku ka arrestuar një person dhe ka konfiskuar pesë aparate të lojërave të fatit. Në Krushë të Madhe po ashtu u arrestua një person i cili mbante të hapur ilegalisht një lokal ku luhej bixhoz. Tetë persona tjerë janë arrestuar gjatë javës në Gjakovë për ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë së lojërave të fatit.

Në rajonin e Deçanit policia realizoi planin operativ përmes së cilit ka bastisur disa lokale. Gjatë kontrollimit është hasur në një lokal i cili nuk kishte as leje as mbishkrim. Në këtë lokal policia ka hasur në pesë aparate të lojërave të fatit të cilat ishin duke funksionuar dhe një numër i konsideruar i formave rrumbullake të plastikës që shërbejnë për lojën e bixhozit.

Aparatet për lojërat e fatit janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës ndërsa të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit prej 48- orësh.

Në aksionin në Deçan, policia ka verifikuar edhe nëntë gra të cilat ishin duke shërbyer në njërin prej lokaleve të bastisur.  Atyre u janë sekuestruar dokumentet personale dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, policia ka bërë të ditur se të njëjtat do të procedohen nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Migracionit.

Tetë gjakovarë ia panë sherrin lojërave të fatit mbrëmjen e së martës. Ata u prangosën nga policia pas aksionit të quajtur “Basti”. Në rajonin e Gjakovës u bastisën nëntë lokacione ku dyshohej se po kryhej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit.

Në mesin e lokaleve të bastisura në Gjakovë, ishte edhe një ëmbëltore. Gjakovarët kishin kamufluar duke e shfrytëzuar ëmbëltoren si lokal për të luajtur lojëra të fatit.

Lojërat e fatit cilësohen si veprimtari e jashtëligjshme pas shfuqizimit të Ligjit për Lojërat e Fatit të iniciuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky ndryshim i Ligjit ka ardhur si pasojë e vdekjes së dy të rinjve pikërisht në lokalet e lojërave të fatit.

Kuvendi i Kosovës e kishte votuar shfuqizimin e Ligjit që ua lejon lojërave të fatit veprimtarinë brenda territorit të Kosovës, ndërkaq ka hyrë në fuqi Ligji i cili e ndalon këtë veprimtari në për 10 vjetët e ardhshme./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat