Publikohet marrëveshja, Gjermania ofron ekspertizën e saj për sigurimet shëndetësore në Kosovë

Kosova

Publikohet marrëveshja, Gjermania ofron ekspertizën e saj për sigurimet shëndetësore në Kosovë

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 11:32
Foto

Kosova dhe Gjermania, respektivisht ministri i shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili dhe ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, kanë nënshkruar dje një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi në mes të dy vendeve.

Në bazë të kësaj marrëveshje e cila është publikuar sot, bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë do të orientohet në katër fusha kryesore.

Fusha e parë dhe kryesore e këtij bashkëpunimi do të jetë ndihma dhe asistimi në funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.Kjo pritet të bëhet përmes shkëmbimit të ekspertizës, informacionit dhe përvojave në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë. Ndërkohë, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë edhe tri fushat tjera të marrëveshjes.

“Kjo DP do të hyjë në fuqi në datën e nënshkrimit. Bashkëpunimi sipas kësaj DP-je mund të ndërpritet nga cilido prej Pjesëmarrësve në çdo kohë përmes njoftimit paraprak me shkrim për Pjesëmarrësin tjetër, nëse është e mundur jo më vonë se gjashtë (6) muaj para datës së dëshiruar të ndërprerjes. Ndërprerja e bashkëpunimit sipas kësaj DP-je nuk ka për qëllim që të ndikojë në zbatimin e aktiviteteve dhe projekteve të iniciuara ose atyre në vazhdim e sipër”, thuhet në marrëveshjen e siguruar nga KALLXO.com

Marrëveshja thotë se kjo mund të arrihet përmes shkëmbimit të ekspertëve, delegacioneve dhe personelit shëndetësor në fushën e shëndetësisë me qëllim të realizimit të trajnimeve afatshkurtra si përmirësimi i aftësive profesionale dhe konsulencës. Ndërkohë, mbështetja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet fondacioneve, institucioneve dhe organizatave përkatëse është një tjetër mënyrë që qon drejt implementimit të marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat