Haradinaj thotë se nuk është final vendimi për dërgimin e Telekomit te përmbaruesi

Kosova

Haradinaj thotë se nuk është final vendimi për dërgimin e Telekomit te përmbaruesi

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 16:23
Pamje nga takimi

Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se vendimi i Z-Mobile për dërgimin e Telekomit te përmbaruesi nuk është final.

Këto komente kreu i ekzekutivit i bëri gjatë vizitës në komunën e Suharekës, ku u takua me kryetarin Bali Muharremaj, me ç’rast kanë biseduar për zhvillimin ekonomik të kësaj komune.

I pyetur për vendimin e Z-Mobile për dërgimin e Telekomit tek përmbaruesi për të ekzekutuar vendimin e Arbitrazhit për pagesën rreth 30 milionësh, Haradinaj tha se kjo kompani asnjëherë nuk e ka mohuar borxhin që e ka pasur.

Haradinaj: Nuk është final vendimi për dërgimin e Telekomit tek përmbaruesi

“Informatat që kam unë është se nuk është vendim final ky. Pala, në këtë rast partneri i deritashëm e dërgon në përmbarim Valën, Vala me siguri se i shfrytëzon elementet ligjor për një proces të caktuar. Pra, është herët të japim përgjigje. Unë e respektoj vendimin e menaxhmentit, të bordit, një qëndrim që kanë marrë dhe do t’i përkrahim ata më tutje që të zhvillojmë Telekomin”, tha ai.

Ai u shpreh se borxhi nuk ndikon në abnkrotimin e Valës.

Haradinaj: Borxhi nuk ndikon në bankrotimin e Valës

“Borxhi i Valës, Vala nuk e ka mohuar asnjëherë borxhin, por ka kërkuar formë të pagesës graduale. Sepse vendimi është i Gjykatës Ndërkombëtare. Mendoj se koha prej tash deri në një vendim final, do të ishte dashur me u shfrytëzu me u kriju mundësi të pagesës të këtij borxhi. Borxhi është vështirë i shmangshëm por kjo nuk ndikon në bankrotimin biznesor të Valës”, tha Haradinaj.

Ndërsa duke folur për takimin që pati me kryetarin Muharremaj, ai tha se do të ruajnë fokusin te prodhimi dhe kapacitetet ekonomike.

Ndërsa i pari i Suharekës, Bali Muharremaj, bëri të ditur se do të fillojnë me ndërtimin e një zone të re industriale. 

Muharremaj: Do të fillojmë me një zonë të re industriale

“Këtë vit do të fillojmë me një zonë të re industriale, pasi që Suhareka ka nevojë. Momentalisht numërojmë 2 mijë e 497 biznese. I kemi 160 prodhues dhe do të vazhdojmë t’iu japim kushte më të mira bizneseve”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat