Vrasja në Malishevë bëhet edhe më misterioze, ekspertët do të dalin sërish në vend të ngjarjes

Kosova

Vrasja në Malishevë bëhet edhe më misterioze, ekspertët do të dalin sërish në vend të ngjarjes

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 20:50
Gjykimi i Nafije Rrafshit

Rasti i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, po bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Dëshmitë e dhëna sot në seancë nga ekspertët e kanë bindur Gjykatën e Gjakovës që të vendosë për daljen e të gjithë ekspertëve në vendin e ngjarjes. Madje, është kërkuar edhe prania edhe e vetë të akuzuarës në vendin ku ishte gjetur i vrarë me armë zjarri 57-vjeçari, Sefer Berisha.

Për këtë arsye, trupi gjykues, i përbërë nga kryetari Shaqir Zika dhe anëtaret Besarta Doli dhe Manduhije Syla, caktoi datën 14 gusht për daljen në vendin e ngjarjes të të gjithë ekspertëve, pasi që do të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Këtë propozim e dha në seancën e sotme eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, kërkesë që u përkrah edhe nga prokurori Ali Uka.

“Propozoj se në këtë çështje vërtet është e nevojshme të dilet në vend të ngjarjes, të kemi të gjithë ekspertët dhe personat e tjerë të nevojshëm, duke mos përjashtuar edhe të akuzuarën”, tha prokurori Ali Uka.

Gjatë dëshmisë së tij, Arsim Gërxhaliu, tregoi se viktima kishte dy plagë dhe se gjuajtja ishte bërë nga jashtë brenda në makinë.

“Gjuajtja është bërë nga jashtë. Ekspertët e vendit të ngjarjes duhet t’i paraqesin dëmtimet e pjesës së dritares apo qelqit, të cilat qartazi tregojnë se nga cila anë ka pasur kahje predha. Në fotot e prezantuara nga Policia të vendit të ngjarjes janë krejtësisht të kundërta, sepse drejtimi i predhës duhet të ishte nga jashtë brenda, kurse këtu tregojnë nga brenda jashtë, andaj kjo paraqet një konfuzion edhe pse nga dëmtimet në kokë mund të konkludojnë se i ka dy plagë dhe se me besueshmëri të lartë bazuar në vijat e frakturës së kafkës plaga e parë është plaga mbi buzën e epërme të vrimës së gojës ndërsa plaga e dytë në pjesën anësore të qafës”, tha Gërxhaliu.

“Mund të ndodh që kur ka ndodhur gjuajtja vetura ka qenë në lëvizje, por pa e shikuar raportin e Policisë nuk mund të kemi përfundime të sakta”, tha eksperti.

Prokuroria dyshon se në këtë rast Nafije Rrafshi duke qenë në të njëjtën makinë, në ulësen e pasme, kishte privuar nga jeta Sefer Berishën.

Më pas, dëshmi ka dhënë eksperti i ADN-së, Lutfi Smajli.

“Rasti i parë i ka pasur 13 dëshmi, ku kemi gjetur vetëm një profil të ADN-së, ndërsa nga dëshmitë e tjera nuk kemi pasur rezultate që kanë qenë të krahasueshme”, deklaroi eksperti i ADN-së.

“ADN-ja e nxjerrë nga mostra e Nafije Rrafshit, e njëjta është krahasuar me profile të rasteve të tjera, por nuk ka pasur ndonjë përputhje”, tha ai.

“Sa i përket qimeve të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes, në dritaren e makinës, ka rezultuar të jenë të gjinisë mashkullore dhe është ende e panjohur”, deklaroi eksperti.

Eksperti shtoi se kishin gjetur edhe pjesë të qelqit, një orë dore, disa njolla shumë të vogla të kuqe të cilat kishin qenë të pamundshme të identifikohen.

Ndërsa Milazim Tahirukaj, ekspert për eksploziv, grimca të barutit dhe zjarrvënie tha se ishin dy dëshmi që i ka quajtur 1-dora djathtë dhe 2-dora majtë, të cilat dëshmi ishin të marra nga duart e viktimës.

“Këto mostra rezultuan të jenë negative. Ndërsa nga arma me të cilën dyshohet se ka shtënë e akuzuara Nafije Rrafshi, ka rezultuar të jetë pozitive”, tha Tahirukaj.

Ai tregoi që në duart e viktimës ka pasur grimca të barutit.

“Këto grimca janë vërtetuar të jenë nga arma e zjarrit”, deklaroi ai.

Në këtë gjykim, dje ka dëshmuar kunati i të akuzuarës si dhe vëllai i viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat