Devijimi i rrjedhës së Erenikut e rrezikon Junikun të mbetet pa ujë

Kosova

Devijimi i rrjedhës së Erenikut e rrezikon Junikun të mbetet pa ujë

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 12:52
Pamje nga vendi ngjarjes

Banorët e komunës së Junikut sot kanë protestuar kundër vendimit për marrjen e Lumit Erenik dhe devijimin e rrjedhës natyrale të tij me qëllim të furnizimit me ujë të pijes për disa fshatra të Gjakovës.

Sipas banorëve ndryshimi i rrjedhës së lumit Erenik rrezikon që Juniku të mbetet pa ujë.    

 Përmes pankartave "Ta mbrojmë Erenikun ", "Mos ma prek Erenikun" , "Ereniku jetë për Junikun, " Juniku po mbetet pa ujë, " E drejta ligjore dhe natyrore mbrojnë Junikun", "Mos m'le pa ujë" junikasit e kanë kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe komunës së Gjakovës dhe kërkuan pezullim sa më të shpejt të këtyre vendimeve.

Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi tha se janë të zemëruar që sot kanë dal të protestojnë kundër veprimeve jo të ligjshme të institucioneve që thirren që të mbrojnë mjedisin natyror.

Si i pari i kësaj komune ai tha se nuk janë kundër furnizimit me ujë për qytetarët e fshatrave të Gjakovës, por që sipas tij alternativat e tyre të ofruar nga komuna e Junikut nuk janë marr parasysh.

Kuçi i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj që të shfuqizojë  vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunës së Gjakovës për devijim të rrjedhës së lumit Erenik.

 Kreu i Junikut ka deklaruar se nuk do të ndalen drejt pengimit të këtij veprimi që do e lë Junikun dhe fshatrat e saj pa ujë.

 Kuçi: Institucionet po veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj

 "Komuna e Junikut ka ofruar dhjetëra alternativa për furnizim me ujë të pijes për të gjithë qytetarët pa dallim të Junikut, Rekës dhe Lukut, për të cilat mundësi përfaqësuesit e këtyre institucioneve as që kanë dashur të dëgjojnë, por të trimëruar me pushtet e privilegje dhe arrogancë e të mbrojtur e të pa penguar nga liderët shtetëror vazhdojnë t'i shkatërrojnë pasuritë të cilat i ka krijuar Zoti. Këto institucione katërcipërisht po veprojnë në kundërshtim të plotë më Kushtetutën dhe ligjet pozitive të Kosovës, duke e devijuar dhe ndryshuar rrjedhën natyrale dhe historike përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna", tha ai.

Kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik, Ruzhdi Shehu tha se institucionet e Kosovës duke e përkrahur këtë veprim për lumin Erenik janë duke bërë një precedent.

Sipas tij ndryshimi i rrjedhës së lumit Erenik pamundëson zhvillimin ekonomik dhe të turizmit në këtë anë.

 Shehu: Nëse merret lumi Erenik nuk do ketë as zhvillim ekonomik

 "Iniciativat e tilla kanë qenë edhe në 2007 atëherë kur ne kemi nxjerr vendime të ligjshme si qeveri komunale, por edhe në vitin 2015 Kuvendi Komunal i Junikut unanimisht ka marr vendim që mos me e marr burimin tonë, prandaj jo vetëm që paraqet shkatërrim të biodiversitetit të botës bimore dhe shtazore, por paraqet problem për zhvillim të turizmit në këtë anë, zhvillimin ekonomik sepse burimet e këtij uji janë përdorur edhe për fshatrat tjera të komunës së Gjakovës, paraqet problem për perspektivën e të dy vendbanimeve që kanë Jasiq dhe Gjocaj që nuk mund të paramendojnë kthimin e tyre në jetën normale pa këto burime", u shpreh Shehu.

 Tejet të shqetësuar janë shprehur edhe banorët e Junikut të cilët kanë deklaruar se nuk do lejojnë që të mbesin pa ujë.

Zenel Maloku banor i fshatit Gjocaj thotë se banorëve të Junikut me marrjen e këtij burimi të ujit të pijes po u bëhet padrejtësi e madhe dhe do mbesin pa ujë.

Maloku: Junikut po i ndodh një padrejtës e madhe me devijimin e rrjedhës së Erenikut

"Kjo protestë po mbahet për një padrejtësi të madhe që po i ndodh Junikut, Jasiqit dhe Gjocajt. Me marrjen e këtij uji dëmtohen më së shumti Jasiqi dhe Gjocaj dhe Juniku, por në radhë të parë dëmtohen ata që 20 vjet shteti është duke bërë përpjekje për t’i kthyer banorët e Jasiqit dhe Gjocaj në atë zonë njëherë derisa u bë deminimi, tash me u qu me ia marr ujin e pijes kjo është degradim shumë i madh dhe është padrejtësi shumë e madhe", tha Maloku.

Shqetësimin e tij se do mbesin pa ujë të pijes e ka shprehur edhe qytetari Islam Qestaj.

Qestaj: Nëse merret burimi i Lumit Erenik Juniku do mbesim pa ujë të pijes

 "Në rast se ky ujë merret toka e Junikut dhe krojet e Junikut ne mbesim pa ujë të pijes Juniku dhe do e merr e gjitha Gjakova në rast se ky merret më poshtë më ulët atje dhe unë them 99 për qind Juniku do mbetet pa ujë të pijes", tha Qestaj.

Ditë me parë, kryetari i Junikut, Agron Kuçi përmes një letre publike ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj që të bëjë shfuqizimin e vendimit të komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit për shfrytëzim të rrjedhës së Lumit Erenik për furnizim me ujë të pijes për disa fshatra të Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat