7 mijë vizitorë për 7 muaj në shpellën e Gadimes

Kosova

7 mijë vizitorë për 7 muaj në shpellën e Gadimes

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 10:37
Shpella e Gadimes

Shpella e Gadimes vazhdon të mbetet një nga atraksionet turistike kryesore të vendit, ku për shtatë muajt e parë të vitit, kjo shpellë ka pritur afër 7 mijë vizitorë.

E vizitorët tashmë i janë shtuar edhe më shumë, meqë shumë mërgimtarë që kanë ardhur për pushime preferojnë që një ditë ta kalojnë në shpellën e mermertë.

Shpella e Gadimes me të gjitha elementet e saj çdo ditë e më shumë po tërheq numër të madh të vizitorëve edhe nga jashtë Kosovës, të cilët duan që nga afër ta shohin këtë shpellë të mermertë që është e vetmja në Evropë e llojit të tillë.

E diela për ciceronin e kësaj shpelle Fatmir Bytyçin është tejet e ngarkuar me punë, pasi ai për shumë grupe gjatë gjithë ditës jep shpjegime.

Një numër i madh i vizitorëve i shkojnë nga mbrapa për parë të gjitha figurat që ai i shpjegon. Vendi i parë ku ndalen është “Fontana e Dëshirave”, ku vizitorët gjuajnë monedha me bindjen se dëshirat do t’iu plotësohen.

Bytyçi: Njerëzit në të kaluarën e kanë gjuajtur një monedhë dhe e kanë menduar një dëshirë

“Njerëzit në të kaluarën e kanë gjuajtur një monedhë dhe e kanë menduar një dëshirë, a është realizuar apo jo ne nuk mund ta dimë”, u shpreh ai.

Pasi që hedhin monedha vizitorët vazhdojnë të ndjekin ciceronin i cili i dërgon tek një vend tjetër.

Ai iu shpjegon se në aspekt hidrologjik shpella e Gadimes është e pasur me ujëra nëntokësore. Ciceroni u tregon se paraqiten të gjitha llojet e ujërave të shpellave: ujërat e kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues duke e shndërruar shpellën e Gadimes në objekt të veçante në aspekt hidrologjik.

Bytyçi: Liqeni nëntokësor, uji është kimikisht shumë i pastër

“Liqeni nëntokësor, uji është kimikisht shumë i pastër shihet edhe me sy. Uji është shpellor që kryesisht furnizohet prej reshjeve atmosferike, do të thotë dalëngadalë dhe vjen në shpellë”, tha ai.

Më pastaj ai i dërgon tek fenomeni më i shpeshtë në këtë shpellë.

Bytyçi: Fenomeni më i shpeshtë në këtë shpellë është prania e stalaktiteve dhe stalagmiteve

“Fenomeni më i shpeshtë në këtë shpellë është prania e stalaktiteve dhe stalagmiteve, stalaktitet janë këto që rriten nga lart poshtë që janë në formë të akujve, ndërsa stalagmitet janë nga poshtë lart. Kur bashkohen në mes vete formohen sikur ky rasti këtu apo shtyllat e shpellës. Ndërsa, stalagnjati më i madh që është deri tash në këtë shpellë është kjo këtu dhe në gazë të gjeologëve që kanë bërë matjet kanë konstatuar se shpella është e vjetër diku rreth 80 milionë vjet”, u tregon ai.

Rrugës derisa vizitojnë shpellën, me sugjerimin e ciceronit vizitorët ndalen për të parë figurën e mjekrës së Skënderbeut.

Bytyçi: Kemi një figurë që ndryshe edhe quhet mjekra e Skënderbeut

“Atje lart e kemi një figurë që ndryshe edhe quhet mjekra e Skënderbeut, quhet ashtu sepse i ngjan shumë. Si dhe këtu e kemi një flamur me shtizë. Këtu gjithçka është natyrale përveç elektrifikimit dhe betonimit, nuk është prekur nga dora e njeriut”, tregoi ai.

Ciceroni duke u shpjeguar vizitorëve të veçantat e kësaj shpelle, thotë se një pasuri e saj është prezenca e aragoniteve të cilat si stoli shpellore janë dukuri e rrallë.

Bytyçi: Këtu gjendemi pranë disa kristaleve

“Këtu gjendemi pranë disa kristaleve, nuk janë akuj, janë disa kristale që janë shumë të rralla nëpër shpella në krejt botën, quhen aragonite dhe janë të vetmet kristale që e kanë thyer rregullën e gravitetit të tokës apo ligjin e gravitetit. Pikat nuk i pikojnë poshtë po i shpërndan në mes vete dhe rriten në drejtime të ndryshme. Këtu jemi para një galerie që është mjaftë mahnitëse, ndryshe quhet edhe kopshti i dashurisë, quhet kështu për arsye se këtu i kemi një stalaktit dhe stalagmit që në të kaluarën është emërtuar si Romeo dhe Zhulieta. Për bashkimin e këtyre dyjave duhen edhe 1 milionë 500 mijë vite”, u shpreh Bytyçi.

Janë 2000 metra katrorë që janë të rregulluara për vizitorët, ndërsa shpella është e ndarë në dy kate. E vizitorët janë ata që mbesin të mahnitur me karakteristikat e kësaj shpelle.

Ardian Kadolli nga Suhareka së bashku me fëmijët e tij po e vizitonte shpellën për herën e dytë, për të cilën thotë se është e mahnitshme.

Kadolli: Përshtypja është shumë e mirë

“Përshtypja është shumë e mirë, është shpellë e vjetër, ka gjëra interesante fenomenet e ndryshme që ndodhet këtu dhe jam mjaftë i kënaqur. Uroj që të ketë sa më shumë vizitor dhe sa më shumë njerëz se në Kosovë nuk vizitohet edhe shumë kjo shpellë, kisha deshtë shumë prej krejt që të vijnë dhe të vizitojnë që me i pa bukuritë që janë këtu...E shoh që është mirë, normalisht e di që shpella është më e madhe sesa nivelet aktuale sesa që ekziston, uroj që të hapen edhe shtigje të reja dhe të shihet se çka ka, sepse ka mjaftë material për t’u zbuluar”, u shpreh ai.

Së bashku me familje shpellën po e vizitonte edhe Besim Rrahmani. Ai jeton së bashku me familje në Danimarkë, por që është me prejardhje nga Gadimja, për çka thotë se krenohet me këtë bukuri natyrore të vendlindjes së tij.

Rrahmani: Shpella është fantastike

Video

“Kjo është hera e dytë, pasi që unë jam vendas po nuk jetoj këtu jetoj në Danimarkë. Shpella është fantastike, si vendas duhet edhe me bë pak reklamë për shpellën, ama shpella duhet të vizitohet patjetër, është diçka që krenohemi ne si gadimali dhe Kosova sigurisht duhet të krenohet me të...Për institucione të Kosovës të mos flasim fare jo me investua në shpellë po duhet me investua në gjithçka. Kuptohet që duhet me investua”, tha ai.

Nuk janë vetëm shqiptarët ata që e vizitojnë këtë shpellë. Castine Loni turiste nga Gjermania shprehet e mahnitur nga bukuritë e shpellës së Gadimes.

Loni: Shumë interesante e gjithë kjo

“Shumë interesant e gjithë kjo që për vite të tëra është mirëmbajtur dhe që ka qëndruar, është shumë interesante”, u shpreh ajo.

Shpellën e Gadimes, Vjollca Kadolli e kishte vizituar para luftës, e ajo është rikthyer edhe një herë për ta parë shpellën tash së bashku me dy fëmijët e saj.

Ajo jeton në Zvicër dhe shprehet se shpella është diçka e mrekullueshme.

Kadolli: Shpella është shumë interesante

“Shpella është shumë interesante se kur kam qenë me shkollë të mesme para luftës kam qenë këtu, ka ndryshim të madh, mirë shumë me krahasua me atëherë, interesant sidomos tash me fëmijët këtu që kemi ardhur... Më shumë me investua këtu se diku tjetër ku nuk ia vlen, kjo është një investim shumë i mirë se për fëmijët është shumë interesant edhe për neve. Më mirë me ardhë këtu me e vizitua se diku tjetër”, tha ajo.

E djali i saj Bledi Kadolli, shprehet se gjithçka në shpellë është interesante.

Kadolli: Shumë mirë janë këto

“Shumë mirë janë këto, krejt interesant”, shprehet ai.

Vizitorët shprehen se përkundër që shpella është e mrekullueshme, institucionet duhet të kujdesën më shumë për të. Investime në këtë shpellë sipas Adriana Pllana, udhëheqëse e MNRV Shpella e Gadimes, janë bërë vitin e kaluar vetëm në mirëmbajtje të rrjetit elektrik dhe në mirëmbajtje të infrastrukturës së jashtme.

Këtë shpellë vitin e kaluar e kanë vizituar 27 mijë e 485 vizitorë.

Kujtojmë se shpella e Gadimes është zbuluar në vitin 1967 nga Ahmet Asllani dhe gjendet në fshatin Gadime e Ulët të komunës së Lipjanit, 3 km larg rrugës magjistrale Prishtinë-Ferizaj. Ajo llogaritet si monument i natyrës me rëndësi të veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat