Zëvendësministri i Brendshëm pritet t’i kthehet profesionit të juristit

Kosova

Zëvendësministri i Brendshëm pritet t’i kthehet profesionit të juristit

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 18:02
Foto

Të paktën tre zëvendësministra të Qeverisë aktuale s’do të mbesin në rrugë kur t’ju përfundon mandati pas dorëheqjes së Kryeministrit. Edhe Abdulselami Shkodra s’po mërzitet pse po i përfundon mandati si Zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Po kthehet në profesionin e juristit.

Abduselami Shkodrës, zv.ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po i përfundon mandati që e ka marrë në këtë ministri. Me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, edhe qeveria e tij ka rënë, e kështu të gjithë shërbyesit e ministrive do t’i kthehen garës zgjedhore ose jetës së përditshme.

Zv.ministri Shkodra, i cili vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re, për Express ka treguar se nuk e ka aspak problem që mandatit të tij po i vjen fundi. Madje ai thotë se me padurim e pret që t’i kthehet profesionit të vjetër.

“Unë jam jurist, kam punuar edhe në Gjykatë në Londër para se të punoj këtu. Ndihem shumë komod në profesionin tim, e mezi pres t’i kthehem profesionit tim. Me padurim” tha ai për Express.

I pyetur se cilat janë arritjet e tij gjatë kohës sa mbajti detyrën në Ministrinë e Brendshme, Shkodra tha se nga të gjitha detyrat që i janë caktuar “kam qenë njëri ndër zv.ministrat që i kam arritur të gjitha objektivat e mia brenda kornizës së kompetencave”.

Sipas Shkodrës, arritjet e tij më të mëdha janë fakti që statistikat kanë treguar se sa shërbeu ai është bërë “përfundimi prapa grilave i shpërndarësve të drogës dhe përdoruesve të saj. Janë të gjitha publike ato, siç kanë qenë asnjëherë më parë” tha ai duke shtuar se “ka pasur avancim të institucioneve të sigurisë në luftën kundër keqbërësve në rrafshin e sigurisë kibernetike”.

Edhe Zëvendësministri tjetër në dorëheqje i Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi ka vendosur të kthehet si shërbyes civil në Komunën e Fushë Kosovës posa t’i pushojë mandati.

Këtë deklaratë e ka dhënë tri ditë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje me çka pritet t’ju përfundojë mandati edhe gjithë të emëruarve politikë në Qeveri.

“Unë kam punuar në Komunën e Fushë Kosovës më parë dhe kjo do të thotë që përveç politikës mund të kthehem përsëri në vendin e punës si shërbyes civil. Përveç kësaj unë jam edhe asamblist i Komunës së Fushë Kosovës”, ka thënë Krasniqi, të dielën, për Gazetën Express.

Express ka shkruar sot se edhe një Zëvendësministër tjetër i Qeverisë s’do të mbetet keq kur t’i përfundon mandati. Izmi Zeka ka thënë se do t’i kthehet punës si mësimdhënës i historisë.

“Unë jetën nuk e kam të gjithë politikë”, ka thënë Zeka, tri ditë pasi Shefi në Qeveri i dha dorëheqje. “Me profesion jam historian e varet prej rrethanave se si do të vijnë. Unë lirshëm mund t’i kthehem profesionit të historianit dhe asgjë nuk përfundon këtu. Zanati më i ndjeshëm për mua është vetë profesioni im”, ka thënë Zeka që është zyrtar i PDK’së.

Ndryshe, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat