Gastronomia, faktor i rëndësishëm në promovimin e kuzhinës shqiptare

Kosova

Gastronomia, faktor i rëndësishëm në promovimin e kuzhinës shqiptare

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 18:47
Foto

Zhvillimi dhe promovimi i gastronomisë po shihet si një faktor i rëndësishëm i promovimit të kuzhinës dhe traditave tona shqiptare, si dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

Kështu u tha gjatë një paneli diskutues që Prishtina Gastronomy Festival organizoi sot në ditën përmbyllëse të saj. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se sipas raportit të Bankës Botërore, turizmi është sektori që shënon rritjen më të shpejtë e që rrjedhimisht po rrit GDP-në e vendit. 

Rukiqi: Turizmi është sektori me rritjen më të shpejtë

“Një fakt i theksuar ka qenë në raportin e fundit të Bankës Botërore për Evropën Juglindore. Normalisht, këtu përfshihet edhe Kosova, turizmi është sektori me rritjen më të shpejtë se vitin e kaluar dhe me rritje të dukshme të kontributit në GDP e vendit, ndoshta duhet më shumë për të parë se cilët janë faktorët, por sigurisht ky është fakt inkurajues që edhe sektori privat dhe iniciativat private dhe sektori publik, komuniteti i donatorëve të vazhdojnë të jenë konsistentë në përkrahje të këtij sektori, për shkak se  tashmë ka nisur të japë rezultatet”, tha ai. 

Ndërsa për Donika Gashi, fascilitatore e Turizmit në projektin për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat, turizmi është një sektor që kërkon durim, pasi nuk jep rezultate të menjëhershme. 

Gashi: Turizmi kërkon durim për të pasur rezultate 

“Turizmi si sektor në Kosovë, si industri në Kosovë duhet me pas shumë durim me pa rezultate, por rezultatet janë të qëndrueshme, sa më shumë durim që ke edhe pret, edhe vazhdon me mbështet, i sheh edhe rezultatet. Prapë po them, ndoshta jo shpejt sikur në bujqësi ose sektorët tjera, mirëpo ndryshimi vjen. Na e kemi pa në komunat që i kemi përkrah, Peja për shembull, edhe pse e kanë  pas një kulturë turizmi, sepse e kanë pas një turizëm malor edhe përpara, e kanë pas më të lehtë ta pranojnë mbështetjen dhe është dyfishuar gjatë viteve të fundit numri i turistëve”, tha ajo. 

Virtyt Gacaferri, themelues i Balkan Natural Adventure, përmes një shembulli konkret tregoi sesi ky sektor mund të zhvillohet. 

Gacaferri: Nuk ka strategji për zhvillimin e turizmit 

“Problemi është se nuk ka një strategji për zhvillim. Problemi i dytë është që turizmi, sidomos ai rural, kur e fillon është shumë i vogël. Mustaf Nikqi që sot i ka hyrje 500 vizitorë në vit, kur ia ka nis biznesit para 10 vjetëve ka pasur dy vizitorë në vjet, por ai është dashur të bëjë investimin fillestar, dhe ta ofrojë dinamizmin. Vitin e dytë i ka pasur 20 mysafirë. Do të thotë nuk është ajo një send që ndodh papritmas, edhe për ato duhet të ekzistojë mbështetja”, tha ai. 

Për kryetarin e Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, edhe pse janë ndërtuar shumë restorante, shqetësim mbetet mungesa e produkteve tona autentike. 

Rukiqi: Secili rajon i Kosovës ka ndonjë specialitet që është autentik 

“Në bazë të zhvillimit që ka pasur Kosova pas luftës, e ka vu fokusin te cilësia. Ne kemi vende, atraksione turistike, gastronomi të zhvilluar, më shumë është komerciale, i tërheq masat. Ka vizitorë që janë kohë pas kohe, qoftë ditor, qoftë që qëndrojnë më gjatë, mirëpo nuk ka ende një shkallë të caktuar. Po flas për pjesën rurale se për pjesën urbane ka një trend tjetër. Por, te pjesa rurale është një orientim komercial, sigurisht dikush që ka pas mundësi të investojë në restorante, në taverna, në lokale të ndryshme, të cilët realisht janë më shumë produkte, por shumë pak prej këtyre produkteve janë autentike tonat, të cilat e kanë edhe një prezantim si duhet, por edhe të njëjtën kohë e targetojnë masën, nuk e kanë të shfaqur atë pjesën autentike që duhet shfaqur. Secili rajon i Kosovës ka ndonjë specialitet që është autentik”,  tha ai.

Sipas Donika Gashit, Kosova ka shumë produkte me të cilat mund të promovohet, e ku njëri prej tyre është edhe djathi i Sharrit. 

Gashi: Ka shumë produkte që janë interesante për turistë 

“Ka edhe ushqim shumë të mirë tradicional, të cilin mund ta promovojmë. Njëri prej tyre është djathi i Sharrit. Bagëtia në Sharr ushqehet me rreth 2700 bimë prej të cilave bëhet djathi i Sharrit, mos të flasim për flija e të tjera. Kështu që shumë produkte që mund t’i promovojmë në Kosovë janë autentike dhe shumë interesante për turistë”, tha ajo.

Prishtina Gastronomy Festival zgjati nga data 20-21 korrik, gjatë të cilit ka pasur gatime tradicionale dhe pjata me koncepte të ndryshme të përgatitura të  gastronomisë shqiptare.

Festivali vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.

Qëllimi i festivalit është të bëhet një takim vjetor për kuzhinierët, pronarët e restoranteve, bartenderët, historianët, antropologët, dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në lëmin e gastronomisë.

Kjo ngjarje të jetë një pikënisje për bashkëpunimin dhe frymëzimin reciprok, ku do të eksplorohet e kaluara jonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat