Qëndroi rreth 4 vjet në burg dhe arrest shtëpiak, në fund shpallet i pafajshëm

Kosova

Qëndroi rreth 4 vjet në burg dhe arrest shtëpiak, në fund shpallet i pafajshëm

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 09:43
Foto ilustrim

Kishte kaluar hiq më pak se 4 vjet të jetës së tij në burg dhe arrest shtëpiak, për veprën penale për të cilën më pas ishte vërtetuar se nuk e kishte kryer.

Pasi ishte shpallur i pafajshëm, personi në fjalë kishte shtruar kërkesën për kompensim të dëmit, për kohën e kaluar pa pikë faji në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Për këtë padrejtësi që i ishte bërë nga drejtësia kosovare, ai gjatë këtij viti ka arritur të marr kompensimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për demin që i është shkaktuar për periudhën 4 vjeçare.

Zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj- Berisha ka bërë të ditur se koha më e gjatë e qëndrimit në paraburgim të një personi që më pas është shpallur i pafajshëm ka qenë mbi 1000 ditë në paraburgim dhe rreth 300 ditë në arrest shtëpiak.

Sipas saj, ky persona ka arritur të kompensohet në muajt e parë të këtij viti.

“Gjatë kësaj periudhe është kompensuar personi i cili në paraburgim ka qëndruara 1087 dite dhe arrest shtëpiak 236 ditë”, është shprehur ajo.

Ndërkohë nëse llogaritet kompensimi në baza ditore për qëndrim në paraburgim dhe arrest shtëpiak, personi në fjalë vetëm për dëmin material dhe jo material gjatë kësaj periudhe kohore është kompensuar me 19 mije e 917 euro.

Nëse këtu futen edhe pakot për vizita familjare që janë 2 pako brenda muajit nga 25 euro, kompensimi për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim në seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat, atëherë shuma e kompensimit të personit në fjalë ka arritur mbi 20 mijë euro.

Ndërkohë, ky nuk është personi i vetëm që ka qëndruar pa faj në paraburgim.

KGJK: 116 persona kanë kërkuar kompensim vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti

Sipas zëdhënëses së KGJK-së, Aishe Qorraj- Berisha hiq më pak se 116 persona kanë kërkuar kompensim vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti nga ky këshill, për privim pa baze ligjore dhe pa arsye.

“Numri i personave që kanë kërkuar kompensim dëmi për privim pa baze ligjore dhe pa arsye për afatin 01 janar-30 qershor 2019 është 116 persona”, ka thënë ajo.

Sipas saj, gjatë periudhës janar- qershor të këtij viti janë shqyrtuar dhe kompensuar 75 persona ndërsa 6 të tjerëve u është është refuzuar kërkesa për kompensim, për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore.

Ndërkohë e pyetur se sa dëmtohet buxheti i KGJK-së nga këto raste, ajo ka thënë se kompensimi i kësaj kategorie është i papare me ligji si dhe për këtë është i ndarë edhe buxheti i caktuar.

SHKK: Aktualisht në të gjitha burgjet e Kosovës janë 476 të paraburgosur

Në anën tjetër Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se aktualisht në bazë ditore në të gjitha burgjet e Kosovës kanë mbi 1000 persona të dënuar dhe rreth 500 të paraburgosur.

“Aktualisht, numri i të burgosurve në të gjitha institucionet korrektuese është 1680, nga ky numër të dënuar janë 1204, ndërsa 476 janë të paraburgosur”, bëhet e ditur në përgjigjet e SHKK-së.

Numri prej 116 personave që kanë kërkuar kompensim si pasoj e qëndrimit të tyre pa të drejt në paraburgim, është alarmante për njohësit e çështjeve të drejtësisë.

IKD: Prokuroritë kërkojnë paraburgim edhe për personat që dyshohen për vjedhje të pulave dhe gjelave

Gzim Shala, hulumtues në IKD e sheh si alarmante numrin e madh të personave që kanë kërkuar kompensim nga KGJK

“Sa i përket personave të cilët arrestohen, mbahen në paraburgim apo në dënim e që më vonë vërtetohet se privimi i tyre nga liria ka qenë i pabazë, fillimisht duhet të potencojmë se kjo dukuri është e pashmangshme dhe se ndodhë në të gjitha vendet e botës. Por, numri prej 116 personave për 6 muaj të cilët janë kompensuar nga KGJK është alarmues”, është shprehur Shala.

Sipas tij, gjatë monitorimit, IKD kishte gjetur se kjo dukuri vazhdimisht është në rritje.

Shala pohon se përballë kësaj rritje, ndonëse është diskutuar, KGJK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Ai, madje thotë se prokurorët kosovarë kërkojnë paraburgim edhe për personat që dyshohen për vjedhje të pulave dhe gjelave.

“Përpos dëmit financiar, dëmi më i madh është se cenohen edhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pasi të njëjtit privohen pa bazë nga liria. Në këtë drejtim, IKD ka gjetur se është krijuar një praktikë që pavarësisht rrezikshmërisë së rastit dhe pa bërë një analizim konkret të rrethanave prokurorët parashtrojnë kërkesë për caktimin e paraburgimit, siç ishte rasti në Gjilan, ku prokuroria kërkoj paraburgim të 2 personave të dyshuar se kanë vjedhur 15 pula dhe dy gjela”, ka thënë Shala.

Por, ajo që e bënë këtë dukuri të mbrapshtë edhe më të shprehur sipas tij, është se edhe gjykatat në shumicën e rasteve aprovojnë këto kërkesa, dhe si rrjedhojë mbahen qytetarët pa asnjë arsye në paraburgim.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës por edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, masa e paraburgimit është masa më e rëndë sigurimin e pranisë së të akuzuarit gjatë procedurës penale. Kjo masë, duhet të shqiptohet vetëm në ato raste kur me asnjë prej masave të tjera në dispozicion (arresti shtëpiak, lajmërimi në polici, dorëzania etj.) nuk mund të arrihet qëllimi. Në këtë mënyrë praktika e ndërtuar tanimë nga ana e sistemit të drejtësisë është një praktikë e cila në thelb cenon sigurinë juridike të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Shala.

Ndryshe, përcaktimi i pagesës për këto raste bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. (04/2015) të KGJK-së për zbatimin e procedurës për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye.

Për paraburgim pa bazë për një ditë, një person kompensohet 9 euro në ditë për dëmin material; për dëmin jo material 6 euro në ditë; për pako dhe vizita familjare, 2 pako brenda muajit 25×2 = 50 €; Për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim ne seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat.

Po ashtu, për arrest shtëpiak pa bazë për një ditë një person kompensohet 9 euro për dëmin material, për dëmin jo material 6 euro; ndërsa për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim në seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat.

Ndërsa për arrest shtëpiak pa bazë për një ditë personi kompensohet 9 euro për dëmin material, Për dëmin jo material 6 €; ndërsa për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim në seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat./Arbresh.info

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat