Haradinaj dhe Bytyqi nuk marrin pjesë në Komisionin për Arsim

Kosova

Haradinaj dhe Bytyqi nuk marrin pjesë në Komisionin për Arsim

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 14:32
Pajme nga takimi

Komisioni për Arsim ka diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë që u ka pamundësuar tri universiteteve publike regjistrimin e studentëve të ri.

Në këtë mbledhje të komisionit kishin qenë të ftuar për raportim kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, por që asnjëri nuk i janë përgjigjur ftesës.

Kryetari i këtij komisioni Ismail Kurteshi, u shpreh se deklaratat politike rreth këtij rasti e dëmtojnë të gjithë procesin.

"Në këtë takim është ftuar kryeministri dhe ministri i Arsimit. Ky i fundit ka njoftuar se nuk do të vijë në komision kësaj radhe. Meqë ata nuk janë këtu ne si komision e kemi kuorumin dhe do ta diskutojmë këtë çështje. Ne të gjithë e dimë se KSHC është i pavarur, i cili ka të drejtë dhe e ka obligim të marrë vendime bazuar në legjislacionin në fuqi. Deklaratat politike që kanë ndodhur lidhur me këtë proces, e dëmtojnë procesin në përgjithësi dhe përpjekjet për cilësi në arsim. Ne nuk kemi kontaktuar me KSHC, por kemi kërkuar që të bëhen publike raportet e ekspertëve, pasi opinioni duhet t'i ketë të njohura", tha ai.

Deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, tha se mos akreditimi i universiteteve nuk është zgjidhje.

"Ne mbesim si PDK për mbrojtje të të drejtave të studentëve dhe krijimin e kushteve. Mbyllja e universitetit nuk është zgjidhje. Në prag të regjistrimit të shumë të rinjve, të cilët nuk kanë mundësi të regjistrohen, a ka pasur mundësi që të jetë vendim më i hershëm, apo është dashur që të pritet deri te regjistrimi. E shoh edhe një lojë politike nga Ministria e Arsimit. Mendoj me urgjencë duhet të përkrahen këto universitete", tha ajo.

Deputeti Driton Çaushi, u shpreh se nuk ka parë që KSHC ka pasur ndonjë shkelje në vendimin e tij.

"Është për keqardhje që nuk janë të ftuarit. Ne nuk kemi pa asnjë dëshmi për shkelje të Agjencionit, por unë të paktën nuk e kam pa asnjë shkelje gjatë këtij vendimi. Është mirë që gjithmonë të mos trajtojmë çështjen në mënyrë dramatike që të themi se mbyllja nuk është zgjidhje. Universitetet e pasluftës kanë qenë fushatë elektorale. Le të na tregojë dikush se a ka pasur ndonjë studim. Kemi dëgjuar shprehjet mafioz, matrapaz, por nuk kemi pa asnjë shkelje në këtë vendim të Këshillit", tha ai.

Ndërsa, deputetja Valentina Bunjaku tha se politika duhet të qëndrojë larg KSHC-së.

"Kurrkush nuk ka nevojë të qajë këtu me lot të krokodilit. Mos akreditimi nuk do të thotë mbyllje. Politika duhet të rrijë larg Këshillit Shtetëror të Cilësisë", tha ajo.

Në fund të diskutimit anëtarët e komisionit janë pajtuar që të dalin me një deklaratë të përbashkët.

"1.Të ruhet pavarësia e institucioneve të pavarura, 2. nëse ka argumente për shkelje të pakënaqurit të ankohen, 3. qeveria t'i ndihmojë universitetet publike që të plotësojnë kriteret e kërkuara. 4. Komisioni është kundër deklaratave politike të zyrtarëve të lartë lidhur me vendimin e KShC-së", janë pikat e deklaratës.

Ndërkohë që një përplasje ka ndodhur në mes deputetes Teuta Haxhiu dhe Valentina Bunjakut, lidhur me kërkesën e Haxhiut që të ftohen në raportim anëtarët e KSHC-së dhe rektorët e tri universiteteve publike nga Prizren, Peja dhe Mitrovica.  Bunjaku insistoi që nëse do të ftoheshin do të ishte një ndërhyrje.

Kërkesa e deputetes Teuta Haxhiu ka marrë vetëm dy vota për, ndërsa anëtarët tjerë janë shprehur kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat