Raporti i Prokurorisë: Brenda ditës ndaluam 11 persona të dyshuar

Kosova

Raporti i Prokurorisë: Brenda ditës ndaluam 11 persona të dyshuar

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 15:34
Ilustrim

Prokurori i Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit janë ndaluar njëmbëdhjetë persona të cilët dyshohen se kanë kryer vepra të ndryshme penale, si dhe ka bërë tri kërkesa për caktimin e paraburgimit të tre personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Dhunimi”.
Po ashtu, kjo prokurori ka bërë një kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për një person, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi”. Ndërkaq, Departamenti i Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ushtruar një kërkesë për obduksion, ndaj personit i cili vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda nga një përleshje.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”. Po ashtu, nga ky Departament është paraqitur edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të njëjtin person.

Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjakovë, me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar katër persona të dyshuar. Departamenti i Përgjithshëm ka ndaluar tre persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, në dy rate të ndara. Dy persona për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje”, dhe një person për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, si dhe, Departamenti për të Mitur, ka ndaluar një person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “ Dhuna në familje”.

Kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë, brenda 24 orëve, ka ndaluar një person i cili dyshohet që ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor dhe Dhunë në familje“. Po ashtu janë ndaluar tre persona të cilët dyshohen për veprën penale “Narkotikë“.
Po ashtu, brenda 24 orëve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një personi për veprën penale, “Lëndim i lehtë trupor dhe Dhunë në familje“, si dhe ndaj tre personave të cilët dyshohen për veprën penale “Narkotikë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat