Asambleisti i VV-së: PDK i ndihmon Agim Veliut në Podujevë, ai ua ndreq pazaret në qendër

Kosova

Asambleisti i VV-së: PDK i ndihmon Agim Veliut në Podujevë, ai ua ndreq pazaret në qendër

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 22:57
Ilustrim

Shefi i asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës, Fitim Haziri, ka goditur ashpër dy pretendentët kryesorë për kryetar të LDK-së: Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Fitim Haziri ka thënë se Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, e kanë kapur LDK-në, ashtu siç i ka kapur këta të dy PDK-ja.

Madje, ai ka kujtuar vitin 2017, ku sipas tij PDK e ndihmoi Agim Veliun të rizgjidhet kryetar i Podujevës, pas një gare të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Fitim Haziri ka shtuar se PDK i ndihmon Agim Veliut në Podujevë, kurse Agim Veliu ua ndreq pazaret PDK-së në qendër.

Reagimi i plotë i Fitim Hazirit:

Jo Albin Kurtit, por Agim Veliu e Lutfi Haziri nuk i japin të drejtë të flasin as anëtarëve e strukturave të larta të LDK-së, sepse Veliu e Haziri e kanë kapur LDK-në, ashtu siç janë të kapur këta nga PDK-ja.

Agim Veliu çdoherë kur e ka pasur n’zgripc në Llap në ndihmë për të mbledhur vota për të i ka dalë PDK-ja, siç ishte balotazhi në shtator të 2017-ës me LVV, ku ishin angazhuar të gjitha strukturat e PDK-së që vetëm e vetëm të fitojë Agim Veliu.

Kështu ndodh gjithherë: PDK i ndihmon Veliut në Podujevë e Veliu ua ndreq pazaret PDK-së në qendër. Ky është borxhi që duhet kthyer.
Edhe pse vullneti i votuesve dhe i strukturave të LDK- së mund të jetë pro një koalicioni me LVV, qëllimi i Veliut dhe Hazirit është drejt një koalicioni me PDK-në në qeverisje.

Edhe tani në qeverisjen në Podujevë Veliu ka koalicion të fshehtë me PDK-në, ku çdo pikë e rendit të ditës në Kuvendin Komunal e mundësojnë të kalojë këshilltarët e PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat