Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit në kilometrin e parë të magjistrales Merdare – Podujëvë, ku për pasojë një person ka vdekur ndërkaq tetë persona të tjerë janë lënduar.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Siç ka bërë të ditur Ahmeti, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Passat” me targa të huaja (gjermane) dhe vetura e tipit “Audi 80” me targa të Republikës së Kosovës.
“Bëhet fjalë për B.S. 39 vjeç, mashkull, shtetas nga Kosova (vozitësi i Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa personat e tjerë të lënduar, janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Ndërkaq, i ndjeri që fatkeqësisht ndërroi jetë në këtë aksident është Blerim Softolli nga Podujeva./llapi.info/