Shkaktoi aksident me fatalitet, Prokuroria ngrit aktakuzë

Kosova

Shkaktoi aksident me fatalitet, Prokuroria ngrit aktakuzë

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit K.Z., për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”, i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga 06 korriku.

Sipas aktakuzës, më 04 korrik 2019, rreth orës 22:55 minuta, në rrugën  Uglarë-Malishevë, i pandehuri K.Z., ka rrezikuar trafikun publik, duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që gjatë drejtimit të automjetit të markës “Opel Vectra”, ka shkaktuar aksident komunikacioni me fatalitet.

Aksidenti është shkaktuar për shkak të mos përshtatjes së lëvizjes së automjetit në vendbanim, ku shpejtësia e lejuar është 50 km/h, ndërsa i pandehuri ka lëvizur me shpejtësi prej 89 km/h, me ç’rast gjatë kalimit në kthesë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, duke kaluar në shiritin tjetër të lëvizjes.

Me këtë rast ka goditur automjetin tjetër të markës “Mercedes”, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G.S., ku nga goditja i njëjti ka marrë lëndime vdekjeprurëse, ndërsa lëndime të lehta trupore ka marrë nëna e  tij, tani e dëmtuara F.S., si dhe bashkudhëtarët në automjetin e të pandehurit, tani të dëmtuarit B.Z., A.Z. dhe Z.Z.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të pandehurin K.Z., ta shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe t’i shqiptojë dënim plotësues -ndalimin e drejtimit të automjetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat