Në Remnik të Vitisë, nesër përkujtohen dëshmorët e vrarë mizorisht më 1942!

Kosova

Në Remnik të Vitisë, nesër përkujtohen dëshmorët e vrarë mizorisht më 1942!

Nga: Avni Azizi Më: 3 gusht 2019 Në ora: 18:47
Remnik

Organizuar nga Këshilli i fshatit Remnik të Vitisë, dhe me iniciativë të familjarëve dhe disa veprimtarëve nga mërgata jonë, nesër më datë 4 gusht, duke filluar nga 10 do bëhet zbulimi i bustit të Selim Fetah Sejdiut dhe dëshmorëve të tjerë të vrarë e masakruar në xhaminë e fshatit Remnik të komunës së Vitisë në vitin 1942.

Gjatë tërë shekullit të kaluar por, edhe më herët vazhduan përpjekjet e ngulmëta të shqiptarëve për liri dhe bashkim të trojeve. Konferencat dhe traktatet e fshehta në fillim të shekullit të kaluar, edhe pse sollën vitet të mbrapshta fataliste, ato nuk arritën të fshijnë nga kujtesa rigjallërimin e trupit arbëror me të gjitha gjymtyrët. Lufta përfundimtare në Ballkan kundër perandorisë otomane solli pavarësinë për vetëm një pjese të trungut arbëror. Ndonëse të ndarë e me troje të gllabëruar, kryengritjet dhe luftërat për liri të shqiptarëve vazhduan pareshtur. Në çdo epokë të historisë kombëtare, populli shqiptarë me gjakun e tij u bë theror lirie, duke u vrarë e masakruar mizorisht nga pushtuesit.

Pas Luftës së Parë Botërore, por edhe më herët, vazhdoi kolonizimi i trojeve shqiptare i nisur më 1877 me kolonë serbë të ardhur nga Serbia. Qindra e mijëra shqiptarë u ndoqën nga trojet e tyre stërgjyshore, u persekutuan, u vranë dhe u masakruan, por përpjekjet nuk pushuan asnjëherë. Edhe Lufta e Dytë Botërore e gjeti popullin shqiptar të lodhur e të robëruar nga vuajtjet shumëvjeçare. Derisa ai bashkë me popujt e tjerë u bashkua kundër bllokut fashistë, fqinjët ziliqarë e tradhtuan prapa shpine dhe zgjuan ëndrrat e tyre të mëhershme për aneksime, shpërngulje dhe spastrim etnik.

Image

Masakra e Remnikut më 1942

Fshati Remnik i komunës së Vitisë bën pjesë ndër vendbanimet më të lashta të këtij lokaliteti. Po kështu në vitin 1942, në këtë fshat, në vendlindjen e patriotit dhe atdhetarit Hasan Remniku, në këtë mjedis të lashtë dhe atdhetar, serbo-çetnikët e tërbuar në urrejtje, në bashkëveprim me ushtrinë e pushtuesit fashist bullgar, kishin kryer plojën ndaj banorëve autokton shqiptar të Remnikut duke vrarë e masakruar mizorisht banorët e këtij vendbanimi. Pushtuesit nën pretekstin e kërkimit të armëve kishin mbledhur burrat remnikasë dhe duke i vendosur në xhaminë e fshatit, për tri ditë me radhë, duarlidhur i kishin torturuar deri në vdekje 24 burra të fshatit dhe disa nga ata i kishte pushkatuar.

Pushtuesit duke dashur t’i terrorizonin banorët shqiptar, ata fillimisht likuidonin njerëzit me influencë, udhëheqës dhe njerëz të lidhur e të formuar me orientime kombëtare. Ndër ata që u pushkatuan ishte edhe kryetari Selim Fetah Sejdiu të cilin patriotët Rifat Berisha dhe Ramiz Cernica e kishin emëruar për udhëheqës të lokalitetit. Vlen të përmendet se Selimi ishte djali i Fetahut, dhe babai i tij ishte dërguar në luftërat në Jemen të Azisë Juglindore dhe nga andej nuk ishte kthyer i gjallë. Selimi me shumë bashkë moshatarë të tij ishin formuar nën frymën dhe idealet kombëtare se çdo pushtues ishte i njëjtë dhe luftimi i tyre ishte detyrë kombëtare.

Ditët tragjike të ngjarjes së ndodhur në xhaminë e fshatit, sipas rrëfimeve të njerëzve të cilat mbanin mend ngjarjen, në momentin e pushkatimit Selimi para ekzekutuesve kishte thënë: “Ju mund të më vrisni, por Shqipërinë s’do mund ta vrisni kurrë!” Pos kryetarit Selim Fetah Sejdiu, ndër ata që u pushkatuan ishin: Daut Ibrahimi, Shaban Ibrahimi, Bajram Ibrahimi, Halil Selmani, dhe Ymer Syejmani, Bislim Rexhepi, Salih Salihu, Halit Boshnjaku të gjithë këta u pushkatuan mes datave 15 e 19 mars 1942 ndërsa të tjerët u mbytën dhe u masakruan në torturë.

Pas kësaj masakre të pushtuesve Hasan Remniku me bashkëluftëtarët e tij Halim Sejdiun dhe të tjerë pasi shpërthyen rrethimin dhe zhvendosën banorët e fshatit duke kaluar ata në zonën italiane, ata hapin një vijë të luftës frontale kundër pushtuesve serb e bullgar dhe më vonë do përpilojnë planin strategjik të hakmarrjes ndaj gjithë atyre të cilët kishin marrë pjesë në masakrimin dhe vrasjen e burrave të fshatit. Sipas burimeve serbe dhe kujtesës së banorëve vet Hasan Aliu gjatë vitit 1942 kishte likuiduar mbi 15 serb zullumqarë nga të cilët 12 prej tyre ishin në mesin e atyre të cilit kishin marrë pjesë në masakrën ndaj burrave në xhaminë e fshatit. Duke përfshirë këtu edhe antishqiptarin dhe xhelatin e përbetuar Sllobodan Jovanoviq nga Zhegra.

Masakra e Remnikut dhe shumë vrasje e masakra tjera ndaj popullsisë shqiptare në trojet e veta në zonën e okupimit bullgar, siç rezultojnë edhe nga dokumente të shumta arkivore, ishin ushtruar mizori nga ushtria dhe formacionet paramilitare bullgare me objektiv shfarosjen dhe largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndarja e tokave shqiptare nëpër zona pushtimi gjatë atyre viteve kishte edhe interesa ekonomike ku shpesh të nxitur nga këto interesa shfaqeshin edhe konflikte mes pushtuesve siç ishin ato mes atyre italian e bullgar.

Kujtesë dhe nderim për dëshmorët

Kalojnë vite, dekada e shekuj dhe kujtimet për dëshmorët mbeten përherë të freskëta në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë, falë flijimit të dëshmorëve frymojnë dhe jetojnë të lirë. Përkujtimi për dëshmorët, është nderim, obligim dhe përgjegjësi të cilën më së paku mund ta bëjmë për flijimin e tyre. Dëshmorët dhe martirët e çdo periudhe kohore e historike, janë ata që me rëniet e tyre me jetët e tyre duke dhuruar për tokën, ne sot gëzojmë lirinë. Kujtesa dhe nderimi për ata pos që është detyrë dhe nderim duhet të na bëhet edhe obligim kombëtar. Kështu me iniciativë të banorëve, familjarëve dhe disa mërgimtarëve nga fshati Remnik, është organizuar ngritja e lapidarit në kujtim të ngjarjes dhe vrasjeve që kishin bërë pushtuesit. Kështu nesër me datë 4 gusht do bëhet zbulimi i bustit të udhëheqësit dhe kryetarit të atëhershëm të fshatit Selim Sejdiu i cili bashkë me shumë vendas të tjerë ishte ekzekutuar nga pushtuesit.

Remniku kujton bijtë e tij të cilët ishin vrarë mizorisht. Të cilët për dekada me radhë deri në lirinë e sotme ata ishin vetëm në zemrat e banorëve dhe kombit ndërsa nga nesër në qendër të fshatit sikur ju bëjnë rojë brezave e gjeneratave të ndryshme të cilat u flijuan për tokën amtare. Kur lidhim historitë dhe kujtimet për sakrificat e gjithë kohëve, pa mëdyshje jo vetëm që jemi të nderuar por, edhe kuptimi i lirisë sikur na bëhet më i shtrenjtë. Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit që u flijuan në çdo periudhë të historisë kombëtare. I pa harruar qoftë gjaku i çdo martiri e dëshmori!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat